Neglizhojnë virozat, të sëmurët te mjeku vetëm kur u "çahet daullja"

Mjekët ORL ngrenë alarmin se neglizhenca e simptomave të virozave ka bërë që qytetarët të kalojnë në infeksion të agravuar të veshit. Mjekja, Klodiana Zaharia, thotë se çdo ditë viziton 8 deri në 10 pacientë që paraqiten për herë të parë me shenjat e virozave.

Neglizhenca për virozat ka bërë që në një Qendër Shëndetësore të paraqiten çdo ditë pacientë me infeksion të agravuar të veshit.

Mjekja ORL, Klodiana Zaharia, thotë se mesatarisht në ditë viziton 1 ose 2 pacientë të cilët paraqiten me rrjedhje të veshit.

“Rastet më të agravuara janë kur nuk kërkohet ndihmë, dhe infeksioni I veshit kalon në fazën që përvecc se akumulon qelb në vesh, shpohet daullja e veshit, dhe fëmija ka rrjedhje të qelbit në jastëkë, në qafë ose në rroba. Raste të tilla kemi pothuajse përditë”, thotë mjekja.

Virozat që qarkullojnë aktualisht në Shqipëri janë shkaktarët kryesorë të problemeve me veshët apo edhe bajamet.

“Shumica e këtyre rasteve kanë një shkaktar viral. Në rastet kur nuk kufizohet, kemi rastin e infeksioneve të veshit ose sinuseve”, thotë mjekja.

Shenjat e para të cilat nuk duhet të neglizhohen janë hundët e bllokuara, kruarja e syve dhe lodhje trupi.

“Kemi shtim të rasteve me virozë të sistemit të sipërm respirator që sigurisht fillon me hundët e bllokuara, dhimbje muskujsh, temperaturë e lartë apo dobësi trupore”, theksoi mjekja.

Një mjeke ORL në ditë viziton 8 deri në 10 pacientë që paraqiten për herë të parë, ndërsa së bashku me rikontrollet mund të shkojë deri në 20 vizita në ditë.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.