“Gruaja i gjen kokainën dhe ia dorëzoi Policisë” aktori shqiptar del para gjykatës për posedim droge
Aktori Osman Azemi, komediani i njohur për rolet e tija me grupin e komedianëve “Stupcat” u paraqit të premtën e 27 janarit në Gjykatën Themelore të Prishtinës për një rast që kishte ndodhur me 3 gusht 2019.
Ai po gjykohet për posedimin e 0.4 gramëve drogë të llojit kokainë.
Aktori është deklaruar i pafajshëm dhe përmes një postimi e ka quajtur krejt atë ngjarjen si “episodë i trazuar i jetës”, por ajo që është e çuditshme është fakti se kokainën nuk ia kishte gjetur Policia.
Atë e kishte gjetur bashkëshortja e tij dhe e kishte dorëzuar në Polici. Si ndodhi që aktori i famshëm u dërgua në Polici e tash në Gjykatë rrezikon dënim me gjobë ose dënim me 1 deri 3 vjet burg.
Ndërkohë ai është deklaruar jo fajtor në gjykatë pas leximit të aktakuzës.
“Unë nuk e ndjej veten fajtor. Arsyeja është sepse deklarata në polici nuk është e imja, është shtu. Nuk është e saktë.” - tha Azemi.
Gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj e njoftoi atë me të drejtën se brenda afatit prej 30 ditësh mund të paraqes kërkesën për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.
Sipas gjykatësit Sadikaj, lidhur me kërkesat eventuale do të vendoset jashtë seancë dhe shqyrtimi i dytë për këtë çështje penale nuk do të mbahet.
Gjithashtu, gjykatësi Sadikaj ka thënë se, nëse nuk paraqiten kundërshtimet e tilla brenda këtij afati, gjykata do të konsiderojë se palët kanë hequr dorë për kundërshtime dhe do të caktohet shqyrtimi gjyqësor.
Sipas aktakuzës së ngritur më 2 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Osman Azemi akuzohet për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas aktakuzës, më 3 gusht 2019, në rrugën “Major Mehmet Bushi”, në Prishtinë, me dashje dhe pa autorizim të organit kompetent shtetëror, ishte gjetur në posedim të substancave narkotike dhe në ditën kritike të incidentit, bashkëshortja e tij kishte gjetur një qese të vogël me substancë narkotike të llojit kokainë, me peshë të përgjithshme 0.4 gram, e cila më pas e kishte dorëzuar në polici.
Më këtë, Azemi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 269 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit./ Nacionale