INSTAT publikon shifrat: Gjysma e shqiptarëve të varfër
Rreth gjysma e popullsisë shqiptare rrezikon të jetë e varfër. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT ky tregues ishte sa dyfishi i mesatares se BE-së, me 43.4 për qind të popullsisë në rrezik për të qenë të varfër në vitin 2020.
Në të njëjtin vit treguesi sipas EUROSTAT ishte 46%.
Sipas përcaktimeve të Eurostat rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social i referohet individëve që janë në rrezik për të qenë të varfër, ose thellësisht të privuar materialisht, ose që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët në punësim.
Niveli i Rrezikut për të qenë i varfër tregon përqindjen e personave që jetojnë në familje ku të ardhurat e disponueshme të ekuivalentuara janë nën kufirin e rrezikut për të qenë i varfër.
Niveli i rrezikut për të qenë i varfër ka në përbërje të tij privimin material dhe aksesin e dobët në punësim, ku në Shqipëri shkalla e privimit material ishte 34.7 %.
Sa i përket rajonit, pas Shqipërisë, nivelin më të lartë të personave në rrezik varfërie dhe përjashtim social e ka Mali i Zi, i ndjekur nga Rumania, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe Serbia.
Sipas Eurostat në vitin 2020 në BE ishin 96.5 milionë njerëz në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social, që përfaqësonin 21.9% të popullsisë.
Përqindjet më të larta të njerëzve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social u regjistruan në Rumani, Bullgari, Greqi dhe Spanjë.
Ndërsa përqindjet më të ulëta të njerëzve në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social u regjistruan në Çeki, Slloveni dhe Finlandë.