Mali i Zi nënshkruan marrëveshjen me Kishën serbe, presidenti kërkon mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Abazoviç
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç ka njoftuar në rrjetet e tij sociale se ka nënshkruar të ashtuquajturën Marrëveshje Themelore mes qeverisë malazeze dhe Kishës Ortodokse Serbe.
Marrëveshja e diskutueshme pritet të hapë debate mes radhëve të koalicionit qeverisës si dhe nga partia opozitare më e madhe në vend e udhëhequr nga presidenti i vendit Millo Gjukanoviç.
Socialdemokratët të cilët gjenden në koalicionin qeverisës kanë thënë se do të kërkonin mocion mosbesimi ndaj Abazoviç duke e akuzuar këtë të fundit se po shet interesat e Malit të Zi te kisha e Beogradit.
Qëndrim të njëjtë ka pasur edhe zoti Gjukanoviç, ndërsa partia e tij e cila e solli shqiptaro-malazezin në krye të qeverisë në Podgoricë ka stopuar mbështetjen për kabinetin e 36-vjeçarit.
Sipas kushtetutës malazeze, Abazoviç mund të rrëzohet me kërkesë të 25 deputetëve, nga partitë në koalicionin qeverisës ose nga presidenti i vendit.
Të tri këta faktorë janë kundër shqiptaro-malazezit.
