Pavarësisht shifrave të larta të infektimeve  dhe viktimave të shkaktuara nga Covid-19, ditën e nesërme, 14 shtator pritet që procesi mësimor të rifillojë për të gjithë nxënësit në territorin e Shqipërisë.

Në masa strikte sigurie, nxënësit do të kthehen në bankat e shkollës pas një periudhe të gjatë shkëputjeje.

Kësaj here nxënësit do të përballen me një “normalitet të ri” ashtu si dhe vetë Ministria e Arsimit, Besa Shahini e thotë në postimin e saj në “Facebook” vetëm pak orë më parë.

Ministria gjithashtu ka theksuar më parë  faktin se askush nuk do të lejohet në ambientet e shkollës pa vendosur maskën. Të gjithë do duhet të ruajnë distancimin social dhe të respektojnë masat anticovid.

Pas një kohe të gjatë larg shoqeve dhe shokëve të klasës, nxënësit tanë do të ritakohen nesër në bankat e shkollës.

Kësaj here me një “normalitet të ri”, duke mbajtur maskën, ruajtur distancën dhe respektuar rregullat anti-COVID në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve dhe të sigurohet një proces i mbarë shkollor”– shkruan ajo.

Të gjithë  do të duhet të jenë pajisur me maska  dhe do të duhet të ruajnë  një distancë prej 2 metra. Më pas nxënësit do të duhet të ndjekin vijëzimet në ambientet e  oborrit të shkollës për t’u drejtuar në ambientet e brendshme.

Më pas para se të futen në klasë ata do të duhet të  ndalojnë në një kënd të posaçëm ku do i presë infermieri për të bërë matjen e tyre të temperaturës dhe dezinfektimin paraprak.

Pas këtij procesi ata do të bëjnë dhe dezinfektimin e kepucëve në vendin përkatës i cili do të jetë i vendosur para derës të shkollës.

Në momentin që do të futen në klasë nxënësit do të jenë të vendosur në radhë duke ruajtur distancën por do të kenë të njëjtën bankë që nga dita e parë deri në ditën e fundit të shkollës.

Nëse nxënësit i duhet të lëvizë jashtë klasës për nevojat e tij personale dikush do jetë duke e pritur jashtë klasës për ta shoqeruar.

Atyre nuk do u lejohet të qëndrojnë apo lëvizin në korridore, përveç momentit kur hyjnë në klasë dhe kur dalin pasi përfundon mësimi.

Gjithashtu duke filluar nga dita e nesërme të gjithë nxënësit do të duhet të kenë me vete një formular ku do të jetë e deklaruar gjendja e tyre shëndetësore dhe e familjarëve e cila do të plotësohet nga prindërit.

E njëjta gjë do të jetë e vlefshme edhe për mësuesit. Ata do të duhet të jenë të pajisur me maska gjatë gjithë procesit mësimor.

Gjithashtu edhe Ministria e Shëndetësine dhe Mbrojtjes Sociale  ka bërë një apel në lidhje me rifillimin e vitit të ri shkollor.  Të gjitha institucionet arsimore duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19

“Me rinisjen e vitit te ri shkollor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, i drejtohet me një thirrje mësuesve, prindërve, nxënësve, të tregojnë kujdes me zbatimin me përpikëmri te masave që frenojnë përhapjen e covid19.
Ministria e Shëndetësisë apelon për respektimin e distancimit social, vendosjen e maskave ose barrierave mbrojtëse, larjen ose dezinfektimin e duarve, ajrosjen e ambienteve, matjen e temperaturës së nxënësve çdo ditë. Të gjitha institucionet arsimore që fillojnë ditën e nesërme mësimin duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit CARSCOV2.
Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar”
– shkruan Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.