Shqipëria dhe Maqedonia Veriore nuk kanë ende datë për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare të integrimit, e cila shënon fillimin zyrtar të negociatave me Bashkimit Europian. Pengesë kryesore për të dy vendet së pari është kriza e koronavirusit dhe tensionet mes Greqisë dhe Turqisë në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë, në Këshillin Europian vijojnë diskutimet për kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, pasi vendet anëtare kanë paraqitur vërejtjet e tyre. Në bazë të metodologjisë së re të zgjerimit, korniza është dokumenti kyç mbi të cilin Shqipëria dhe Komisioni Europian do të hapin kapitujt e negociatave.

Ndonëse përgatitja e kornizës së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore është drejt fundit nga zyrtarët europianë, çështja e zgjerimit nuk është përfshirë fare në axhendën e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme. Deri tani dihet vetëm se Komisioni Europian do të paraqesë më 6 tetor raport progresin për vendet kandidate.

Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia Veriore presin një datë për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negociatave dhe duket se për të dy vendet procesi është në krizë.

Shqipëria ende nuk ka zgjidhur mosmarrëveshjet e brendshme politike, ku shumica lidhen me reformën zgjedhore e për të cilën nga Bashkimi Europian kërkohen miratim me konsensus. Nga ana tjetër institucionet e larta të drejtësisë, si Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë ende jashtë funksionit.

Maqedonia Veriore nuk ka probleme të tilla, por fqinji i saj Bullgaria ka ngritur pretendimeve nga për çështjen e gjuhës dhe të minoriteteve. Zv./kryeministri maqedonas për Çështjet Europiane, Nikolla Dimitrov ndodhet në Bruksel për takime me zyrtarë të lartë gjatë Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Nga Shqipëria, nuk ka asnjë përfaqësues Bruksel dhe nga Gjermania, vend i cili mban kryesinë e radhës së BE-së, kryeministri Edi Rama tha se çështja e negociatave lidhet me dinamikat e brendshme të vendeve anëtare. I vetmi zyrtar i shtetit shqiptar që ka filluar takimet, është kryenegociatori Zef Mazi. Mësohet se të enjten më 24 shtator ai do të marrë pjesë në një seancë dëgjimore joformale në Komisionin e Politikave Europiane të Parlamentit Italian.