Minorenët shqiptarë përbëjnë numrin më të lartë ndër emigrantët minorenë të pashoqëruar në Itali por gjithashtu emigrantët minorenë shqiptarë e të rinjtë shqiptarë deri në moshën 25 vjeç janë ndër më të shumtit në numër të dënuar nga drejtësia italiane.

Ministria Italiane e Drejtësisë ka publikuar së fundmi raportin e gjashtë mujorit të parë të vitit 2020 me një analizë sintetike të të dhënave statistikore  të minorenëve të huaj deri në 18 vjeç e të rinjve të huaj nga 18 në 25 vjec,   të pranishëm në sistemin penal të drejtësisë italiane e të marrë në ngarkim nga shëmbimeve sociale .

Minorenët e të rinjtë shqiptarë me dënime për vepra të ndryshme penale renditen në vend të tretë në numër, ndër komunitetet e huaja pas atyre me kombësi rumune e marokene,

Nga 1 janari 2020 e deri më 30 qershor 2020 numërohen 333 minorenë e të rinj shqiptarë deri në 25 vjec të dënuar penalisht nga drejtësia italiane e të marrë në ngarkim nga sistemi kombëtar i shërbimit social për rehabilitimin e tyre e integrimin në shoqëri.

 Në dy vendet e para renditen ato me kombësi rumune që janë 621 e ata marokenë me 620 të rinj të dënuar.

Ndër 333 minorenë e të rinj shqiptarë deri në 25 vjec, 12 janë femra e 321 meshkuj. 20 prej tyre i janë besuar qëndrave komunitare për rehabilitimin e minorenëve e të rinjve. Ndërsa në Institutet penale Italiane për minorenë e të rinj po vuajnë dënimin 11 shqiptarë.

Në këtë raport shfaqen dhe të dhënat për minorenë e të rinj kosovarë të dënuar nga drejtësia italaine. Ata janë 51  e të gjithë meshkuj.

Numri i përgjitshëm i minorenëve e i të rinjve deri në moshën 25 vjec të huaj të dënuar nga drejtësia italiane e të pranishëm në territorin italian është 15 359 e 1569 prej tyre janë femra.

Shumica e tyre janë dënuar për grabitje, vjedhje, trafik lëndësh narkotike, dhunë fizike, mashtrim, sherr i dhunshëm, dhunim seksuale etj. 78 nga numri i përgjithshëm i tyre janë të dënuar për vrasje të qëllimshme e 182 për tentativë vrasje të qëllimshme.