Infektimi i mjekëve me Covid ka bërë që disa prej tyre të shkojnë jashtë vendit për kurim por këto trajtime jashtë Shqipërisë nuk mbulohen nga Ministria e Shëndetësisë përsa kohë në vendin tonë ka kapacitete spitalore për të trajtuar të prekurit me këtë virus.

Pas disa ditësh trajtim në Turqi për shkak të Covid, familjarët e Arjan Harxhit kanë hedhur posht pretendimet se shpenzimet janë mbuluar nga Ministria e Shëndetësisë.

 Ka qenë bashkëshortja e Harxhit, e cila përmes nëj statusi në facebook është shprehur se të gjitha shpenzimet e trajtimit në Turqi i ka mbuluar familja e tij.

Gjithashtu mësohet se edhe mjekë të tjerë të cilët janë infektuar me Covid dhe janë trajtuar jashtë vendit nuk kanë përfituar mbulim të shpenzimeve nga qeveria, pasi sipas tyre ata kanë zgjedhur personalisht të kurohen jashtë.

 Ka qenë vetëm rasti i mjekut Dobi për të cilën u mblodhën ndihma nga qytetarë të ndryshëm dhe në këtë nismë u solidarizua  edhe Ministria e Shëndetësisë.

 Deri tani nuk ka asnjë specifikë për kurimin e mjekëve me Covid jashtë vendit me fondet e qeverisë, këto raste trajtohen si  të gjitha sëmundjet e tjera.

Për Ora News, mjekja Aurora Dollenberg, njëkohësisht kryetare e federatës së mjekëve shqiptarë në Europë, u shpreh se është shteti që mbulon kostot qoftë për trajtim ambulator apo për rastet që kanë nevojë një trajtim specifik.

“Është shteti që mbulon kostot si për shërbimin ambulator  ashtu edhe për atë specifik”.

Kujtojmë se disa muaj më parë, sindikata e mjekëve i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që mjekët që humbën jetën si pasojë e koronavirusit të shpallen dëshmorë, por deri tani nuk është marrë një vendim konkret për këtë çështje.

Prej fillimit të pandemisë fatkeqësisht e kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit 30 mjekë, ndërsa numri i të infektuarve ka qenë më i lartë megjithëse nuk ka shifra zyrtare nga Ministria.