Selim Qama, administratori i kompanisë “Klerajdi” është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka dëmtuar habitatin në malin e Tomorrit duke nxjerë gur dekorativ.

Mali i Tomorrit është zonë e shpallur park kombëtar ndërkohë që guroret janë ndaluar në të gjithë hapësirën e mbrojtur.

Në vendin e quajtur qafa e Sqepurit, policia ka konstatuar dy mjete që ishin ngarkuar me pllaka dekorative duke arrestuar dy shtetas dhe duke shpallur në kërkim Selim Qamën.

Ky i fundit është babai i deputetit Klajdi Qama, i cili hyri në Kuvend nga lista e LSI-së.

I pyetur mbi ngjarjen, deputeti Qama thotë se çështja është ende në hetim dhe akuzon se bëhet fjalë për një sulm politik nga palë të tjera që ushtrojnë aktivitetin në malin e Tomorrit.

Qama: Për momentin çështja është ende në hetim dhe për sa kohë nuk ka një vendim apo një informacion të saktë se çfarë ka ndodhur nuk ju jap dot një sqarim të qartë. Ajo çfarë ka ndodhur është se kjo situatë është një inskenim i një sulmi politik mes nesh dhe palëve të tjera në atë zonë.

Pavarësisht vendimit të qeverisë për të ndaluar guroret në të gjithë hapësirën e parkut kombëtar, vendimi u hodh poshtë nga Gjykata Administrative.

Megjithatë prej gati 1 viti, policia nuk lejon që firmat të nisin punën.