Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, zhvilloi të hënën një takim me drejtuesit e degëve të partisë. Ai kërkoi përzgjedhjen e 140 kandidaturave që do të garojnë në emër të Partisë Republikane ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se e ka bazuar qeverisjen te korrupsioni e krimi.

Në takimin me drejtuesit e degëve, Fatmir Mediu kërkoi përfundimin sa më parë të procesit të përzgjedhjes së 140 kandidaturave që do të garojnë në emër të Partisë Republikane.

Mediu tha se në 25 prill Shqipëria duhet të rikthehet në rrugën e integrimit evropian dhe kjo mund të realizohet duke votuar kundër regjimit të korruptuar të Kryeministrit Rama.

Mediu: Opozita duhet të bashkohet në bazë të një platforme të qartë politike e cila përcakton detyrimet që ne kemi karshi qytetarëve shqiptarë nesër në qeverisje. Jo vetëm kritike kundër regjimit korruptiv të Edi Ramës, por në radhë të parë, qartësisht programin tonë ekonomik, social, shëndetësisë, në mënyrë që të bëhet e prekshme nga çdo qytetar shqiptar.

Shqipëria e sotme u shpreh kreu i Partisë Republikane nuk ofron siguri e të ardhme për qytetarët.