Ndryshimi i strukturave të SHÇBA, Hajdarmataj: Presion para zgjedhjeve, ndikon në punën e policisë

Ndryshimi i strukturave të SHÇBA, Hajdarmataj: Presion para

Qeveria ka planifikuar zëvendësimin e SHÇBA në Ministrinë e Brendshme me një strukturë të re mbikëqyrjeje dhe kontrolli për punonjësit e policisë dhe Gardës së Republikës. Riorganizimin e ri të strukturës vëzhguese, me më shumë kompetenca hetimi, ekspertët e policisë e lidhin me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ish-drejtori i policisë Arben Hajdarmataj, thotë se qeveria po tenton të shtojë ndikimin ndaj efektivëve të policisë.

Arben Hajdarmataj: Kompetencat e tij kanë qenë thjesht mbi trupën policore dhe mbi gardën e republikës, tani mesa shihet politika do të ndikojë drejtpërsëdrejti dhe ta vendosë krejt Ministrinë e Brendshme në ndikimin  politik dhe gjithë kjo lojë bëhet kryesisht përpara zgjedhjeve.

Sipas Hajdarmatajt, krijimi i kësaj strukture pritet të ndikojë në punën e përditshme, pasi mund të konsiderohet si formë presioni ndaj efektiveve. Një nga argumentet e relacionit është dhe mungesa e performancës nga SHÇBA, por për Hajdarmatajn, shkak i rezultateve të dobëta kanë qenë pengesat e krijuara nga politika. 

Arben Hajdarmataj: Unë nuk mendoj që nuk ka pasur mundësi praktike që SHÇBA të bëjë goditje, të bëjë dhe presion për të vënë nën ndikimin e saj, ti drejtojë apo ti kanalizojë sipas interesave të saj ose sipas objektivave dhe direktivave që mund ti japë ministri.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të jetë në varësi drejtpërdrejt të Ministrit të Brendshëm dhe do të ketë drejtorinë e përgjithshme, e cila organizohet në nivel departamenti, drejtorie, sektori dhe seksioni sipas objektit të veprimtarisë.

Struktura dhe organika e Agjencisë do të përcaktohet me urdhër të kryeministrit, me propozim të ministrit të Brendshëm, ndërsa kreu i Agjencisë emërohet nga kryeministri me propozim të ministrit.

Vendi Lajme shcba Aktualitet

EMISIONET