Në seancën e fundit të parlamentit, kryeministri Edi Rama ndryshoi në mënyrë të njëanshme Kushtetutën, duke hapur listat dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore.

Opozita e akuzoi se prishi marrëveshjen konsensuale të arritur mes tyre me 5 qershor.

Publicisti Kim Mehmeti thotë se Ramës nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër veçse të zhytet më thellë në zollumet e tij.

Mehmeti: Piktori është në gjendje të prishë edhe Shqipërinë dhe nuk ka zgjidhje tjetër. Ka ardhur në atë pikë ku sa më keq është Shqipëria, aq më mirë është për atë.Sa më shumë ngatërrohen punët në Shqipëri, më e lehtë është për atë që të shpëtojë. Le të mos ketë bërë asgjë kriminale piktori, ai bëri akte të turpshme për një Kryeministër, rrënoi teatrin, përdori pandeminë për të ndryshuar Kushtetutën, i gëzohet faktit se ka një Kuvend qesharak, i ka thënë lamtumirë të drejtës, i ka thënë lamtumirë të mirës për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai ngutet se nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm ngatërresat e shpëtojnë. Vetëm e keqja më e madhe e mbulon të keqen e madhe. Zhytja vazhdon.

Po në të njëjtën ditë që u ndryshua Kushtetuta është miratuar në heshtje edhe ligji sipas të cilit Shqipëria do të ndahet në katër rajone dhe që sipas opozitës është një përpjekje e Ramës për të ozurpuar pushtetin lokal.

Mehmeti nuk është aspak i suprizuar, duke deklaruar se Rama ka qenë i sinqertë në shfaqjen e dëshirës së tij për ti pasur të gjitha pushtetet në dorë dhe ja arriti.

Mehmeti: Piktori ka qenë i sinqertë, i donte të gjitha në duart e veta dhe i mori. E la shtetin pa Gjykatë Kushtetuese dhe në njëfarë mënyre ai është dhe Gjykata Kushtetuese, edhe kryebashkiaku i të gjitha bashkive, edhe kryeministër dhe kryeparlamentar, ai është dhe Shqipëria. Duhet të jemi me fat nëse ai nuk vendos të bëjë edhe ndonjë ndarje të Shqipërisë më ndryshe, mos harroni që një kohë popullin shqiptar e quante populli opozitar dhe populli pozitar.Shkonte në Kosovë dhe thoshte kush kritikon presidentin e Kosovës është gomar. Një njeri i tillë vetëm përçan, atë strategji ka. Gjatë 7 viteve ai ka pasur mik dhe aleat të vetëm përçarjen dhe përbuzjen.Ne merremi me të dhe atij i përshtatet.Nuk themi më të rëndësishmen që ky njeri është i rrezikshëm për shqiptarinë dhe Shqipërinë.

E ndërsa Kuvendi i Maqedonisë së Veriut u konstitua një ditë më parë, ai nuk kursen kritikat për BDI.

Mehmeti: Deri sa të jetë BDI për partitë maqedonase nuk do të ketë parti më të përshtatshme për pjesëmarrjen në qeveri, është edhe e preferuara e Tiranës zyrtare. Edhe për piktorin më të përshtatshëm se të BDI këtu nuk ka. Te ne erdhi puna se shqiptar i mirë për shtetin maqedonas është shqiptari i korruptuar, edhe për Tiranën dhe Prishtinën politikanët më të mirë në Maqedoni janë shqiptarët e korruptuar.Elitat tona politike nuk kanë ideal më të lartë sesa të vinë në pushtet dhe të mbrojnë interesat e veta dhe partive.Kush se ka kuptuar këtë, nuk ka kuptuar asgjë.

Intervista në studio me gazetaren Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana