Eksperti për çështjet zgjedhore, Kristaq Kume,  mirëpret vendimin e mazhorancës për të mos kaluar kodin e ri zgjedhor për miratim në Kuvend seancën e kësaj të enjteje.

Tërheqjen ai e sheh të lidhur me apelin e ndërkombëtareve, posaçërisht të diplomates amerikane Yuri Kim.

Kristaq Kume: Është një veprim i mirëpritur. Pasqyrimi i ndryshimeve kushtetuese në kodin zgjedhor duhet të bëhet me dakordësinë e të gjithë palëve. Në të kundërt procesi zgjedhor vendoset në një situatë jo normale.Kjo nuk është gjë tjetër veçse ndërhyrje e ndërkombëtarëve. Kemi treguar që nuk i rregullojmë dot gjërat vetë.Nëse palët nuk bien dakord në Këshillin Politik, ndërhyrja dhe presioni ndërkombëtar duhet të jetë më i madh.

Rol kyç në këtë proces sipas tij duhet të ketë edhe OSBE-ODIHR.

Kristaq Kume: Jemi në kushtet kur partitë politike kanë prezantuar opsionet e tyre, ato nuk janë të njëjta. Nëse nuk arrihet dakordësia gjithçka duhet të shkojë te OSBE-ODIHR që ata të japin rekomandime dhe këshillën teknike sesi mund të kapërcehet ngërçi.

Për Ora Neës, Kume analizoi propozimet e të gjitha palëve politike për ndryshimet në kodin zgjedhor, duke nënvizuar se mazhoranca termin koalicion  e ka përdorur si term spekulativ. Rezerva ka edhe për propozimin e tyre për hapjen e listave 100%.

Kristaq Kume: Mazhoranca në plotësim të asaj çfarë kërkohet nga ndryshimet e bëra në Kushtetutë ka paraqitur një variant të saj sesi mund të pasqyrohen këto ndryshime në kodin zgjedhor. Dy janë çështjet më të debatuara, hapja e listave dhe problemi i koalicioneve parazgjedhore.

Ka gjithashtu një propozim të paraqitur nga Rudina Hajdari dhe dje jemi njohur dhe me propozimin e opozitës jashtëparlamentare.Të shpresojmë që palët do të arrijnë të gjejnë të përbashkëtën midis tyre që mund të gjendet si pasojë e diskutimit dhe vendimmarrjes në radhë të parë në Këshillin Politik dhe pastaj në Kuvend.

Propozimi i PS që mbështet hapjen e listave 100% në analizë të fundit nëse do të zbatohen ato procedura sipas të cilës ajo propozon të trajtohet vota e zgjedhësve, efekti real i hapjes së listave në kuvendin e ardhshëm do të jetë shumë i reduktuar. Numri i deputetëve që do të jenë aty se janë mbështetur me votë parapëlqyese nga zgjedhësit pritet të jetë shumë i vogël që do të thotë që në të tërën e vet nuk e shpien gjithçka në pritshmërinë e deklaruar.

Varianti i Rudina Hajdarit dhe opozitës jashtëparlamentare pranojnë që të hapen listat 100% është shumë afër pritshmërive. Ulëset e Kuvendit do të kenë deputetë të zgjedhur nga vota direkt e qytetarëve.

Sa i përket problemit të koalicioneve ka vetëm një propozim nga mazhoranca që parashikon të ketë koalicione por vetëm si një term spekulativ sepse termi koalicion nuk ka pse të përdoret. Përdoret vetëm për të thënë që nuk përjashtojmë koalicionet.

Koalicion në këtë rast nënkuptohet vetëm një marrëvesghje e partive por përfaqësimi i tyre vetëm me një parti ose e thënë ndryshe KQZ në gjithë problemin e administrimit zgjedhor nuk ka pse të jetë i detyruar të njohë se kush janë përbërësit e këtij grupimi por vetëm ajo vetëm atë parti që do të regjistrohet. Opozita jashtëparlamentare kërkon të vazhdohet të qëndrohet me të njëjtin koncept të koalicionit parazgjedhor i përcaktuar si i tillë që në 2003.

Intervista në studio me gazetaren Eneida Ndoci, përgatiti për online Besjana Kuçana