Ditën e sotme, Parlamenti kaloi me 106 vota pro dhe 6 kundër ndryshimet kushtetuese përsa i përket reformës zgjedhore.

Kjo ka sjellë një sërë reagimesh të ashpra nga opozita e bashkuar, Presidenca si dhe disa prej ambasadorëve të huaj.

Për kreun e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vendimarrja i përket mazhorancës dhe opozita nuk ka më kredenciale duke qenë se janë vetëpërjashtuar nga Parlamenti.

Në një intervistë për Ora News, ai thotë se pavarësisht se opozita ndodhet jashtë, ata sërish janë ulur në tryezë dhe u janë marrë mendimet. Por Ndreu shprehet se PD ka propozuar një sistem zgjedhor që nuk e aplikon asnjë vend tjetër.

Ndreu: Nuk kemi më se çfarë të diskutojmë. Reagimi i faktorit ndërkombëtar është i qartë, nuk kanë ndonjë lloj shqetësimi me lëvizjen e mazhorancës. Mazhoranca prandaj quhet e tillë dhe vendimarrja e përket asaj. Në Shqipëri, ti ke ikur nga Parlamenti nuk përfaqësohet askund dhe pastaj rënkon si fëmijë dhe thua dua të bëhet si them unë. Mazhoranca ka koston e vetë në vendimarrje e cila nëse përputhet me interesat e popullit, kjo shihet në zgjedhje dhe jo me dëshirat e opozitës. Opozita nuk ka më kredenciale se është vetëpërjashtuar nga sistemi, por mund të japë opinionet e veta. Ajo nuk është në parlament dhe prapë është ulur në tavolinë dhe i janë plotësuar disa prej kërkesave të veta. PD ka sajuar një sistem të vetin që nuk e aplikon askush. Nuk e thonë dot se këtë sistem që kanë propozuar e aplikon një filan shtet. Dhe mazhoranca këtë i ka kërkuar.

Pjerin Ndreu thotë se Shqipëria është i vetmi vend në botë ku opozita kërkon të bëhet ashtu siç do ajo në kundërshtim të plotë me botën e qytetëruar.

Sipas tij, kjo këmbëngulje e tyre i zhvlerëson në sytë e qytetarëve.

Ndreu: Ka vetëm një kërkesë për opozitën jashtëparlamentare për tu ulur dhe për të reflektuar mbi këto ndryshime. Nuk ka asnjë turbullirë nga ndërkombëtarët. Në Shqipëri është i vetmi vend që një opozitë kërkon të bëhet siç do vetë në kundërshtim me të gjithë parimet e botës së qytetaruar. Kjo nuk bën gjë tjetër veçse i zhvlerëson në sytë e shqiptarëve. Ka një problem tek opozita në qëndrimet që mbajnë. Njëherë nuk i donin listat e hapura, pastaj kundërshtuan listat gjysmë të hapura ndërsa tani i duan të hapura. Ka dhe një problem tjetër që lidhet me barazinë gjinore të cilës ne nuk i japim dot përgjigje PD-së.

Intervista ne studio me gazetaren Matilda Mcini, pergatiti Endi Mullaj