Ndryshimi i rregullave të lojës, në një kohë loja ka nisur me dekretin e 6 shtatorit (dekretimi i datës së zgjedhjeve nga presidenti) nuk mund të anashkalohej pa u komentuar nga gazetarja dhe autorja e “Tempora”, Sonila Meço.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, gazetarja, teksa flet për ndryshimet kushtetuese lidhur me Kodin Zgjedhor, sipas saj të njëanshme, shprehet se gjithë kjo është një blindë deformimi vullneti zgjedhësish.

Teksa përmend gjithçka ka në dorë kjo mazhorancës, pushtet qëndror dhe lokal, mediat kryesore në vend dhe pa harruar të famshmet “339” dhe “184”, Meço apelon se ndryshimi i kërkuar nuk vjen as me qetësi, as me indiferencë, as cinizëm e as sarkazëm.

Postimi i plotë i gazetares:

Me logjikë elementare:

Maxhoranca absolute e pushtetit qendror e lokal vendos me kartonat e saj e të opozitës parlamentare në kuvend 7 muaj larg zgjedhjeve rregullat e lojës, që maksimalizojnë mandatet e saj me më pak vota.

1. Lista të mbyllura de facto

2. Cënim të koalicioneve parazgjedhore

3. Prag të dyfishtë elektoral lokal dhe kombëtar

Pra një blindë deformimi vullneti zgjedhësish, pa llogaritur ndarjet administrative të tipit 2 vota dibranësh = 1 votë vlonjati, manovrat e kodit 339 e 184, zotërimin e pushtetit qendror e lokal nga një forcë e vetme, përdorimin e buxhetit për qëllime elektorale, një drejtësi, që ende nuk ka dhënë asnjë provë, heshtjen e ndërkombëtarëve të Tiranës, kapjen e mediave kryesore në vend.

I bëri të tëra kjo maxhorancë, kush mendon ende se në këto kushte po zgjedh në 25 prill?

Kush thotë se “ndryshimi duhet” dhe kalon me qetësi, indiferencë, dyshime, cinizëm, demagogji, skepticizëm e sarkazëm situatën qartësisht nuk do as ndryshimin e as zgjedhjet.

Thjesht duke analizuar sa më sipër…