Ndrangheta, mafiozët italianë dhe mitomanët shqiptarë

Ndrangheta, mafiozët italianë dhe mitomanët shqiptarë

Përgjimet e Antimafias italiane kanë tronditur politikën shqiptare këto ditë, aq sa kanë angazhuar të gjithë arsenalin publik e mediatik, për të gjetur çfarëdolloj argumenti, se kjo dosje nuk ka asnjë provë dhe protagonistët e përgjuar janë mitomanë që nuk kanë mundur të realizojnë asnjë aktivitet biznesi në Shqipëri.

Por ajo që duhet vënë në dukje që në krye të herës, është fakti që ato 1600 faqe, edhe pse nga shumëkush cilësohen si dosja e plotë, dhe e lexuar me vëmendje, mbeten sërish vetëm kërkesa për masën e sigurisë, e janë maja e ajsbergut e gjithë asaj dosjeje voluminoze të prokurorit Nicola Gratteri.

Të marrësh përsipër e të mohosh punën disavjeçare të Antimafias italiane e ta cilësosh si dosje boshe e pa prova është mendjelehtësi, nëse vërtetë e beson. E për më tepër kur merr përsipër të rrëzosh dosjen e Prokurorisë italiane, duke i sugjeruar SPAK-ut të suksesshëm shqiptar që të mos hetojë!

Por, le të ndalemi pak tek faktet!

Ideuesit dhe mbrojtësit e vullnetshëm të tezës se dosja e Antimafies italiane nuk ka asnjë provë, kanë qenë të parët që kanë evidentuar përmendjen e emrit të Ilir Kullës, duke e cilësuar si detaj të kryelajmit për dy ditë me radhë.

“Në dosjen e plotë …, ‘Princi’ i Ndranghetas, Antonio Gallo, në një bisedë të tetorit 2018 me ish-zyrtarin e Guardia Di Finanzia-s, Ercole D’Alessandro, përmendet me emër Ilir Kulla, këshilltari i Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Madje krerët e grupit mafioz flasin edhe për Presidentin Meta”- shkruhet në kryeartikullin e mediave të ideuesve të kësaj teze.

Këtu kemi të bëjmë me dy standarde gazetareske. Ose do pranojmë se kjo dosje nuk ka asnjë provë, ose detaji se Ilir Kulla është pjesë e përgjimeve ka rëndësinë e kryeartikullit.

Protagonistët e këtij hetimi italian cilësohen një seri personazhesh deri diku periferikë në botën kriminale dhe mafioze të Kalabrisë. Por nëse këta personazhe, ku janë të përfshirë edhe eurodeputetë, karabinierë etj janë periferikë, për drejtësinë shqiptare mjafton fakti që në këtë dosje janë të përfshirë direkt 6 shtetas shqiptarë, disa prej tyre rezidentë në Tiranë dhe me aktivitete financiar, biznese apo aksione në kompani të ndryshme.

Për Kodin e Procedurës Penale, për Ligjin Antimafia apo Kodin Penal, mjafton indicia e bazuar në dyshime të arsyeshme, që për Edmond Baçin, Henrik Baçin, Odeta Hasajn, Bilar Hoxhën, Alban Ketën dhe Bledar Koçin, të nisnin hetimet nga SPAK.

Për 6 shqiptarët nga 81 të arrestuarit në Itali, do të duhej minimalisht regjistrimi i një procedimi penal, i cili mund të mjaftohej edhe vetëm sekuestrimin e dokumentacionit të aktivitetit të tyre tregtar. Të paktën kështu veprojnë prokuroritë serioze si ajo e Antimafias Italiane, nga ku ne deri më sot kemi kopjuar vetëm bazën ligjore, tashmë të pluhurosur Këta mitomanë përmendin emrin e një personazhi të rëndësishëm në Shqipëri, “Nikun”, të cilin e etiketojnë si pikën lidhëse me ministrat dhe zyrtarët e lartë që do të emëroheshin pas zgjedhjeve të 2017-ës.

Nëse Niku, (Besnik Halili) bashkëshorti i një zyrtareje të lartë të qeverisë së majtë, do të ishte do të ishte thjesht objekt bisede i 4 mitomanëve pa ndonjë rëndësi, atëherë si shpjegohet fakti që fiks siç e përmendin “mashtruesit italianë” ka ndodhur më pas në Shqipëri?

Vetëm pak muaj pas kësaj bisede, kompania e Niku-t është fituesja kryesore e tenderëve nga Ministria e Shqipërisë, plot 80 të tillë.

A nuk është ky fakt i mjaftueshëm për SPAK, që të nisë verifikimet për procedurat e prokurimit? Nëse ato kanë qenë të drejta, kostoja për SPAK do të ishte vetëm paga dyjavore e një OPGJ-ëje që do të kryente procedurat.

Por pjesa më e madhe e këtyre tenderëve kanë qenë me vetëm një garues dhe të cilësuara me flamur të kuq nga agjencitë monitoruese të prokurimeve, çka shton edhe më shumë dyshimet se ato biseda janë faktuar në Shqipëri.

Ajo që dhemb më shumë dhe që ka trazuar më tepër ujërat, është përmendja e kryebashkiakut Erion Veliaj, që paska qenë në “Opera me Xhinse”.

Mashtruesit italianë përmendin financimin e 3 gradaçelave: “Ne mund të financojmë 3 kulla, por duhet të marrim hua nga bankat… politikanët atje marrin ryshfet prej 20% … Socialistët duan të hyjnë në Evropë me çdo kusht dhe nëse ata hyjnë në Evropë edhe ne duhet të jemi atje… ne duhet të gjejmë kontakte të rëndësishme … “etj. etj.

Ajo që vërteton faktin që 4 protagonistët nuk janë mitomanë, por persona të mirinformuar se si funksionon Tirana, është fakti se biseda mes tyre është zhvilluar në datë 28 tetor 2017, ndërkohë që Plani Rregullues i Tiranës kishte vetëm 3 muaj që ishte firmosur nga Kyeministri Edi Rama dhe ende opinioni publik nuk ishte njohur me planin e ndërtimit të kullave rreth qendrës së Tiranës dhe Bulevardit të Ri.

Pra, duket se këta mitomanë italianë e kanë ditur planin e gradaçelave para qytetarëve shqiptarë, madje paskan arritur që të përfshihen edhe në tre lejet, që u ndanë me miratimin e Planit.

Sikur të mos ekzistonte asnjë fakt për këtë, besoj të gjithë biem dakord që dyshimet e arsyeshme janë evidente. Në Tiranë po lulëzojnë gradaçelat me financime, që një zot e di nga burojnë. Që tregu i ndërtimit është shndërruar në lavatriçe pastrimi parash këtë e kupton i madh e i vogël.

A do të mjaftonte kjo dosje e kopsitur nga Italia për indicje të një hetimi që të godiste pastrimin e parave në këtë treg? Apo edhe me këtë nuk merret SPAK, se kryebashkiakët e marrin 20 % pa nisur të bëhen pis me tulla e llaç?!

Sa i përket përfshirjes apo jo të kryebashkiakut Erion Veliaj në këtë aferë, është problemi më i vogël, por edhe puna më e thjeshtë për një prokurori profesioniste. Nëse në të ardhmen do të kishte dyshime apo prova, a do të mund SPAK t’i gjejë?

Asnjëherë! Se minimalisht, dje, jo sot, duhet të ishte sekuestruar për llogari të hetimit, libri i vizitave e takimeve që kryebashkiaku Erion Veliaj ka pasur në zyrën e tij, e më pas edhe takimet zyrtare në restorantet ku hahet ushqim italian në Tiranë.

Ajo çka duhet vënë në pah, është fakti se në Itali janë bërë planet, janë kryer bisedat, janë lënë vetëm gjurmët. Por në Shqipëri janë provat. Janë Ujku e Delja! Janë detajet që sot i ka nxjerre media me profesionalizëm, në vend të SPAK-ut që ende është duke fjetur mbi dosjet e pluhurosura.

Sa i përket moszhvillimit të hetimeve shtesë në Shqipëri, nuk është aspak e vërtetë që prokurorët italianë nuk e panë të arsyeshme t’i kryenin.

Në intervistën e dhënë vetëm dy ditë më parë në Corriere Della Serra, prokurori Nicola Gratteri ka deklaruar se për këto dyshime, duhen kryer hetime shtesë në Shqipëri. Por edhe ky sugjerim nuk është i mjaftueshëm as për SPAK-un, por as për zhbërësit e dosjes.

Puna më e mirë që SPAK-u duhet të bëjë sot, është që të regjistrojë një orë e më parë procedimin penal e të ndalojë të gjithë personazhet e përmendur që mund të dëmtojnë provat, pa opozita edhe po nuk fitoi  në këto zgjedhje, dinë shqiptarët si të zgjedhin nëse drejtësia ekziston. 

Lajme Opinione shqiptare Ndragheta mitomane mafioze

EMISIONET