Mediat në Poloni pezulluan mbulimin e zhvillimeve në vend këtë të mërkurë për 24 orë. Ky veprim u bë në shënjë proteste ndaj një takse të planifikuar nga qeveria mbi të ardhurat e reklamave. Gazetarët pretendojnë se taksa është një përpjekje për të minuar liritë e shtypit.

Mediet polake kanë protestuar këtë të mërkurë duke ndaluar transmetimin për 24 orë për shkak të një takse të re që ka propozuar qeveria.

Sipas gazetarve polakë, autoritetet po përpiqen t’i kontrollojnë dhe të minojnë lirinë e shtypit.

Kjo kundërshtohet nga qeveria polake, që sipas saj paratë e vjela nga kjo taksë do të shkojnë për shtimin e përkujdesit shëndetësor për shkak të pandemisë së Koronavirusit.

Një numër i madh radio stacionesh private në Poloni kanë pezulluar transmetimet. Gazetat kryesore ditore u botuan me një shënim proteste në faqet e tyre të para.

Taksa e re e propozuar nga qeveria polake është mbi të ardhurat nga reklamat e transmetuesve televizivë dhe radio, gazetat dhe portalet. Media shtetërore përjashtohet nga kjo taksë.

Sipas ligjvënësve polakë kjo taksë pritet të hyjë në fuqi më vonë këtë vit dhe është e nevojshme për të rritur të ardhurat e Fondit Kombëtar të Shëndetit gjatë pandemisë së koronavirusit.

Kryeministri polak shtoi se “tarifa e solidaritetit” do të ndihmojë gjithashtu në financimin e sektorit kulturor. Por gazetarët dhe pronarët e medieve e kundërshtojnë këtë taksim.

Sipas tyre, taksa e re do të dobësojë dhe ndoshta do të detyrojë mbylljen e disa medieve që veprojnë në Poloni. Sipas tyre mund të cënohet edhe raportimi cilësor në nivelin lokal.

 Kanali kryesor privat i Polonisë TVN, në pronësi të grupit amerikan Discovery, tha se propozimi i qeverisë kishte “qëllimin e kufizimit të pluralizmit dhe lirisë së tyre të shprehjes”.