Ndërsa politika është ngërthyer në debatin e ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave, ish-deputeti Eduart Ndocaj thotë se Kushtetutën e vendit e kanë bërë si libër horror, ku e modifikojnë sipas dëshirave.

I ftuar në emisionin “Ditë e Re” në Rtv Ora, ai thotë se Rama do ti miratojë këto ndryshime, me apo pa dëshirën e opozitës jashtëparlamentare.

Ndocaj: Kushtetutën e kanë kthyer në një libër horror, e modifikojnë sa herë të kenë qejf si PD në një darkë. Ky e ka në dorë ta modifikojë dhe nuk mund ta ndalë opozita me maska as pa maska.

Ndocaj vlerëson se listat e hapura janë një mundësi e mirë që qytetarët të zgjedhin vetë se kush do ti përfaqësojë në Kuvend.

Ish-deputeti ngre shqetësimin për kapjen e politikës nga krimi, ku referuar edhe raportit të fundit të BE, Ndocaj thotë se mafia në Shqipëri ka gjet shtetin e saj dhe zyrat i ka në kryeministri.

Ndocaj: Listat e hapura janë domosdoshmëri për shqiptarët që të zgjedhin njeriun që ata mendojnë se është i duhuri për ti përfaqësuar. Kemi një politikë të inkriminuar dhe të kapur nga çdo lloj krimi, nuk është se e akuzon vetëm opozita, por  tashmë bota. Është faji i politikës, ka gjet strehë në Shqipëri. Mafia e ka gjet shtetin e vet, ka zyrat në Kryeministri.Do të doja të ishin batuta humori, por është realitet.

Nëse e kthen kokën pas, në vitet kur e la Shqipërinë për të ikur drejt Italisë, Ndocaj thotë se përveç viteve asgjë tjetër nuk ka ndryshuar.

Ndocaj: Kanë ikur vitet por kriza ekonomike vazhdon. Shqiptarët vazhdojnë të mendojnë të largohen si në vitet ’90. Kjo ndodh se nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka siguri dhe as shpresë. Kjo që po ndodh tani është vërtet e trishtueshme, politika duhet të kishte ndërruar në këto 30 vjet, janë gati dy breza dhe është shumë për shqiptarët. Atëherë mund të ishte faji i sistemit por tani është i politikës.Politika tani do ta mbajë këtë vend në kaos që shqiptarët të largohen.