Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për zbatimin e masave anticovid.  

Ndëshkohen me masë administrative 1579 qytetarë që u konstatuan pa maskat mbrojtëse, gjatë fundjavës.

Masë administrative 1.000.000 lekë për një subjekt që nuk respektoi protokollet e sigurisë.

Masë administrative edhe për 7 qytetarë që nuk zbatuan masat kufizuese pas orës 22:00, në fundjavë.  

“Gjatë fundjavës, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 1579 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjithashtu, gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, 1 lokal në ambientet e të cilit nuk respektoheshin protokollet e sigurisë.

Gjatë kontrolleve në fundjavë janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.  Gjithashtu, gjatë fundjavës, pas orës 22:00 janë konstatuar edhe 7 qytetarë që lëviznin në rrugë pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.” – njofton policia.