Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ndarjen nga jeta të artistit të shquar arbëresh, Pino Cacozza.

Meta thotë se ai ia përkushtoi të gjitha energjitë e tij përhapjes dhe zhvillimit të gjuhës dhe traditave tona kombëtare, ndërkohë që ndau dhimbjen me familjen e tij dhe me të gjithë komunitetin arbëresh.

“Mësova me keqardhje për ndarjen nga jeta të artistit, shkrimtarit, kompozitorit dhe këngëtarit të dashur arbëresh, Pino Cacozza, i cili gjithë energjitë e tij ja përkushtoi ruajtjes, përhapjes dhe zhvillimit të gjuhës, kulturës, traditave historike dhe kombëtare shqiptare.

Përfaqësues i denjë i vlerave më të mira të komunitetit arbëresh, kontributi dhe vepra e Pino Cacozza do të mbeten të paharruara, ashtu siç titullohet edhe një prej këngëve të tij më të bukura “Jemi një kulturë çë ngë mënd vdes” (Jemi një kulturë, që nuk mund të vdesë), me të cilën fitoi edhe një nga festivalet e Këngës Arbëreshe. Duke ndarë dhembjen me familjen e tij dhe me të gjithë komunitetin e dashur arbëresh, ju shpreh ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të pazëvendësueshme“, shkruan Meta.