Nuk kam shumë  fjalë për të thënë Adi, është arti yt që thotë gjithçka. Je nje artiste dhe mbi të gjitha një njeri me vlera të rralla, me atë modesti që vetëm artistët e lindur dinë ta përcjellin.

Dëgjova intervistën tënde dhe nuk  kisha dyshim që do ishe po ajo Adi që kaluam vitet e Akademisë, ashtu e matur për çka nxjerr nga goja, e thjeshtë dhe me këmbë në tokë, por me artin në lartësi.

Artin e madh e bëjnë  vetëm ata artist që kurrë nuk kënaqen me çka kanë krijuar dhe kur nuk flasim për artin e tyre. Ata vetëm kërkojnë  e kërkojnë përsosmërinë në pafundësi derisa janë në jetë.

Të pyetën; A e ke arritur atë çka t’i kishe si qëllim në artin tënd…përgjigja jote ishte ashtu siç unë  të njoh; – nuk e di a ja kam arritur qellimit akoma, sepse jam shumë kërkuese, nuk  kënaqem kurrë.

Kur pyetet nje pseudoartist delirant siç dhe janë përhapur shumë këto  kohët e fundit do të thoshte; “Jam artist i madh me famë botërore”.

Artistët si ty nuk delirojnë sepse kanë Art.

Delirimet po i shohim çdo ditë tek ata që nuk kanë asnjë lidhje me artin por abuzojnë  pa mëshirë me të.

Artistët si ty nuk  manipulojnë kurrë siç po ndodh rëndom në pjesën më të madhe të artit shqiptar.

Artistët si ty kanë ngelur shumë pak.

Jemi  të malluar për këtë lloj arti që na emocionon dhe që na jep shpresa se nuk ka vdekur akoma shpirti i ndjeshmërisë dhe vlerave krijuse.

E lumtur që të kam mike ndër dekada. Krenare që ndjek artin tënd me ato ngjyra që vetëm ti di ti “përleshësh” me aq harmoni dhe ajo që mua më ka bërë gjithmonë kurioze është  misteri që kanë në thellësinë e tyre.

E lumtur që në muret e shtëpisë sime ti je gjithmonë  prezente.

Të flasësh për ty nuk mjafton kurrë një shkrim por ditë e netë.

Arti i sinqertë është pasqyra me ideale e shpirtit të atij artisti që e krijon atë. Ti je një nga ato artiste, ku në të gjitha tablot e tua kanë  shpirtin dhe fuqinë tënde krijuese me punën e pandalur, me çantën e bojrave dhe penelave në krah dhe telajon në krahun tjetër gjithmonë në lëvizje për punë dhe duke punuar për artin tënd magjik në thjeshtësinë tënde njeri.