Një ekip shkencëtarsh nga Universiteti i Colorados kanë zbuluar molekula uji në provat e magmës, të sjella në Tokë prej astronautëve.

Bazuar në të dhënat e sondës së NASA-s “Lunar Reconnaissance Orbiter” dhe modelet teorike ata kanë gjetur të ashtuquajturat “ujëvara të ngrira”, pra zona që ndodhen në hije, e ku në temperatura të ulëta mund të jetë konservuar uji. Ndër to, janë krahas kratereve të krijuara prej goditjeve edhe zona, ku rrezet e diellit janë të mbuluara.

“Nëse përfytyron se ndodhesh në sipërfaqen e Hënës në afërsi të një poli, do të shikoje hije ngado. Shumë nga këto hije të vogla mund të jenë plot me akull”, është shprehur drejtuesi i ekipit, Paul Hayne, në një njoftim të Universitetit të tij.

Si shembull për zonat më të mëdha me ujë, studiuesit përmendin kraterin Shackleton në polin jugor, që është mbi katër kilometra i thellë dhe ka një diametër prej mbi 20 kilometrash.

Sipas këtij studimi, në Hënë mund të ketë një sipërfaqe rreth 40.000 kilometra katrorë që ndodhet vazhdimisht në hije, kjo sipërfaqe është dy herë më e madhe nga sa mendohej deri më sot. Teorikisht në këtë zonë mund të ketë ujë të ngrirë. Shumica e këtyre rajoneve ndodhet në rajonet polare të këtij trupi qiellor, 60 përqind të kësaj sipërfaqeje studiuesit e lokalizojnë në hemisferën jugore.

Të dhënat si për molekula uji në sipërfaqen e Hënës, ashtu edhe në zona të saj, ku uji mund të jetë i konservuar në mënyrë të përhershme si akull, janë bërë publike nga dy ekipe studiuesish në revistën “Nature Astronomy”. Rezervat e ujit në satelitin e Tokës jo vetëm që mund t’i thjeshtojnë misionet e ardhshme për në Hënë, por edhe rrugën drejt Marsit.