Arbërie Nagavci, anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje e quan “qasje politike” dhe ”tendencë për të penguar Albin Kurtin për të garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit vendimin e djeshëm të KQZ-së për të mos çertifikuar 47 kandidatë mes tyre dhe kreun e VV.

Sipas përgjigjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 47 kandidatët janë të shpallur fajtorë për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në tri vjetët e fundit

“Kjo është një qasje politike e tendencë për të penguar Albin Kurtin, sepse nuk ka arsye të qëndrueshme jurudike për të pamundësuar kandidimin e zotit Kurti. Ne presim vendimin e KQZ-së dhe do të shfrytëzojmë të drejtën tonë ankimore përpara se të nisë zyrtarisht fushata” u shpreh ajo në një intervistë me skype për emisionin “Ditë e Re” sot në RTV Ora.

Nagavci kujton zgjedhjet e 2019 kur Zoti Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë garuar dhe nuk ka vlejtur kjo pengesë për të cilën po mundohen ta paraqesin tani.

Arbërie Nagavci: Në kohën kur është kryer vepra penale për të cilën  akuzohet zoti Kurti, hedhja e gazit për të penguar marrëveshjen e Zajednicës për të cilën Gjykata Kushtetuese zbuloi se janë shkelur 23 nene të Kushtetutës. Në atë kohë ka qenë në fuqi kodi i vjetër penal që nuk paraqet një pengesë të tillë. Të gjithë juristët e dinë që në raport me një vepër penale vlen Kodi Penal që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale dhe gjithësisht kodi më i përshtatshëm për palën

Po pse po e sulmojnë Kurtin?

Arbërie Nagavci: Sulmet kanë qenë të vazhdueshme por e vërteta është se sa më shumë që sulmohet mbështetja qytetare është rritur në vazhdimësi. Është tendencë për të pamundësuar që të tregohet se cila është mbështetja e vërtetë të qytetarëve për zotin Kurti. Në zgjedhjet e kaluara Kurti ka marrë mbi 183 mijë vota dhe jemi të bindur që në këto zgjedhje mbështetja do të dyfishohet dhe kjo i tremb përfaqësuesit e tjera politike.

Megjithatë e gjithë kjo situatë nuk ka ndikuar në fushatën zgjedhore beson zonja Nagavci.

Arbërie Nagavci: Ajo që bie në sy është që mbështetja po rritet dhe ndonjë pengesë eventuale vetëm do mobilizojë qytetarët për të dalë në votime dhe votuar Lëvizjen Vetëvendosje. Nuk ka pengesë që Kurti të jetë kryeministër i Kosovës. Kjo tregon dhe paradoksalitetin e situatës ku jemi. Shumica parlamentare mund të propozojë qeverinë dhe i mandatuari nga VV do të vazhdojë të jetë Kurti dhe nuk mund ta pengojë në këtë drejtim. Të gjitha sondazhet e tregojnë që jemi jo vetëm forca e parë politike por dukshëm më lart se partitë e tjera. Nuk ka dilemë që Kurti do të jetë Kryeministër. Ajo çfarë po bëjnë është që për arsye politike të mundohen të pengojnë rilegjitimin e Kurtit në Kosovë.

A mund të marrë mandatet të qeverisë e vetme?

Arbërie Nagavci: Sondazhet tregojnë që do të kemi shumicë të konsoliduar. Por dhe situata në terren tregon që mbështetja për lëvizjen është shumë e madhe. Besoj se do të krijojmë qeverinë. Do të kemi një numër të konsoliduar. Synojmë 61 mandate që paraqesin shumicën e thjeshtë në Kuvend.Ky vendim mund të kontestohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP), përmes ankesave të këtyre kandidatëve dhe subjekteve politike të tyre, veç e veç.