Çmimet e naftës bruto në botë po rriten dhe po i rikthehen niveleve të para-pandemisë.

Stuhia dimërore që po përshkon SHBA-në përkeqësoi sërish problemet në sistemin energjetik të Teksasit.

Rafineritë e naftës në vend e kanë reduktuar me gati 1 milion fuçi në ditë prodhimi në këto 5 ditë dhe nuk presin të kthehet në nivelet e mëparshme pa kaluar disa javë.

Zhvillimet u reflektuan menjëherë në bursa.

Nafta bruto e standardit amerikan u vlerësua 1 për qind më në vlerën afro 62 dollarë fuçia, pika më e lartë që nga 8 janari i vitit 2020.

Me 1 për qind u rrit edhe çmimi i naftës së standardit evropian Brent, duke kapur vlerën 65 dollarë fuçia, po ashtu pika më e lartë në më shumë se një vit.

Brenda javës, dy sistemet referencë për naftën janë mbivlerësuar me 6 për qind.

Vendimet e OPEK-ut po ashtu po ndikojnë te çmimet.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës vazhdon të mbajë ulur prodhimin global për të stimuluar rritjen e tyre. 

Politika pritet të ndryshojë pas muajit prill.

Ndërkohë, eksportuesi më i madh i naftës në botë, Arabia Saudite, thotë se deri atëherë do e reduktojë prodhimin e vet me 1 milion fuçi në ditë.