Mesazhi i ngushëllimit i Presidentit “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi për ndarjen parakohe nga jeta të Presidentit të Fax News, Kasem Hysenbelliu


Për muaj me radhë po përjetoj shuarjen e njerëzve të shtrenjtë.

Covid-19 nuk mi kurseu nipin, vëllanë, motrën.

E ndërsa thaja lotët çdo herë lutesha: “Zot me kaq, mba dorën!” me shpresën se do më kursente të tjerë njerëz të dashur, të tjera dhimbje zemre.

Shpresova deri në çastet e fundit, deri kur një zile e kobshme telefoni më njoftoi për shuarjen e mikut të rrallë, kolegut të guximshëm, njeriut të besuar, vëllait, që fati ma solli një udhëtimi të vështirë jete.

Kasem Hysenbelliu, njeriu që themeloi median e pavarur e rezistoi ta ruante të tillë, njeriu, që në botën e trazuar mediatike mbeti i kthjellët e i vërtetë, njeriu, që i dha zë të pamundurit, të abuzuarit dhe nuk mësoi dot kurrë kompromisin me mënyrën e lehtë nga sot do t’i mungojë familjes, miqve, atyre që e deshën dhe çmuan, publikut, që kërkonte ajër në asfiksimin e fjalës së lirë.

Do t’i mungojë gruas, fëmijëve, familjes, miqve e të afërmve dhe u shpreh ngushëllimet për këtë humbje të parakohshme të të shtrenjtit të tyre.

Dhe do të më mungojë shumë si vëllai i madh, si miku i drejtë, si babaxhani në ditë të errëta e kritiku më i drejtë në kohë të turrbullta, si krahu i djathtë, si referenca në hutimin prej goditjeve pas shpine.

Sot, më shumë se kurrë covid-i i marrë po na mëson të mendojmë për vdekjen e kush mundet duhet ta shndërrojë në mundësi për t’u bërë më të mirë.

Askush nuk do të jetë i përjetshëm, jetojmë për të ndërtuar diçka, që do të mundet të mbetet e tillë.

Kasem i dashur, le brengë, dhimbje, trishtim me shuarjen tënde fizike, por le një vend takimi ku çdokush me një telekomandë mund të gjejë dhuratën e çmuar të mendimit të lirë. News24, Panorama, FaxNews mbajnë firmën tënde.

Shpirti yt meriton paqen, kujtimi yt përjetësinë, puna jote vazhdimësinë.

Me ikjen tënde nuk do mësohem kurrë, na ndriçofsh nga lart për udhën që na mbetet në këtë botë të padrejtë!

Vëllai im Kasem, dje, sot e përgjithmonë!