Masat gjithnjë e më të rrepta kundër përhapjes së covidit të ri nga veriu në jug të vendit po i revoltojnë qytetarët italianë.

Qindra protestues mbushën të premten mbrëma zonat urbane të qytetit jugor të Napolit për të demonstruar ndaj vendosjes së ndalimqarkullimit nga ora 23 deri në mëngjes.

Forcat e rendit u desh të lëshonin gaz lotsjellës ndaj turmës së demonstruesve që marshonin duke u rënë borive, duke ndezur granata tymuese e duke u vënë zjarrin koshave të plehrave.

Revolta u nxit edhe nga një deklaratë e guvernatorit të Kampanies, Vinçenco De Luka, që sugjeroi izolimin e plotë të vendit nga pandemia njësoj si në muajin mars.

“Duhet t’i mbyllim të gjitha industritë, agrikulturën, ndërtimin, transportin, dhe këtë ta vendosim që sot, jo nesër. Jemi një hap larg tragjedisë. E thënë shkoqur, nuk dua ta gjej veten sërish përballë atyre kamionëve ushtarakë që bartin me vete arkëmortet e qindra të vdekurve.”

Në mbrëmje, qytetarët dhe pronarët e bar-restoranteve dolën kundër guvernatorit De Luka me parullat “Na mbyll, por na paguaj” dhe “Shëndeti mbi të gjitha, por pa para nuk mbyllet muaji.”

Protesta u raportuan edhe në kryeqytetin e Italisë, që bashkë me Milanon, Kalabrinë dhe tërë rajonin e Lombardisë po aplikohet ndalimqarkullimi disa javor nga mesnata deri në mëngjes.

Autoritetet italiane thonë se pandemia është në fazë përkeqësimi në të gjithë territorin, me mijëra vatra aktive infeksioni krahasuar me javën e mëparshme.

Kryeministri italian Xhuzepe Konte po punon për një dekret të ri masash edhe më të ashpra, ndërsa shkencëtarët propozojnë që ndalimqarkullimi të nisë nga ora 20 e mbrëmjes.

Italia në pranverë ishte vendi i parë europian më i prekur nga virusi, dhe tashmë rastet e diagnostikuara kanë arritur në 500 mijë e 37 mijë rezultojnë viktima.