Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith druhej se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mund të arratisej apo frikësonte dëshmitarët, ndaj kërkoi dërgimin e tij në paraburgim. Në letrën dërguar gjykatësit të procedurës dhe tashmë të publikuar, Smith thekson gjithashtu se akuzat ndaj Thaçit janë aq të rënda sa nëse vërtetohen, ai mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u arrestua dhe dërgua në paraburgim nga frika se pas konfirmimit të aktakuzës dhe bërjes së saj publike, mund të arratisej apo frikësuar dëshmitarët. Këto pretendime theksohen në një letër që kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Hagës, Jack Smith, i dërgoi gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicola Guillou, në prag të konfirmimit të aktakuzës.

“Nxitja e zotit Thaçi për t’u arratisur, dëmtojë procesin apo kryejë krime të tjera do të shtohet sapo ai të njihet me hollësitë e aktakuzës së konfirmuar, e cila mund të sjellë edhe dënim me burgim të përjetshëm,” thotë kryeprokurori Smith në letrën që tashmë është botuar edhe në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale.

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dha dorëheqjen më 5 nëntor pasi Gjykata Speciale konfirmoi aktakuzën ndaj tij. Ai akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Pas dorëheqjes ai u arrestua dhe u dërgua në paraburgim në Hagë, ku ndodhet dhe selia e Gjykatës Speciale. Në seancën e parë, zoti Thaçi i mohoi akuzat e prokurorit dhe e deklaroi veten të pafajshëm.

Së bashku me të arrestuar janë edhe Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Hysni Gucati dhe Sali Mustafa.