Rritet numri i infektimeve në vend, por rriten edhe gjobat e Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve që nuk respektojnë masat anti-Covid.

Siç raporton vetë Policia, në 24 orët e fundit janë gjobitur me 3 mijë lekë të rinj 512 qytetarë.

Sipas Policisë, “gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 5 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë”.

“Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër i bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë masat anticovid dhe të mos dalin nga banesat e tyre pas orës 22:00 deri në orën 06:00”.