Ndërsa mesditën e sotme pritet të mblidhet Këshilli Politik, Presidenti Ilir Meta u ka bërë thirrje aktorëve politikë të mos devijojnë nga marrëveshja e 5 qershorit.

Vëmendje i tërhoqi posaçërisht mazhorancës, duke u kërkuar që mos të përdorë listat e hapura si sebep për të prishur marrëveshjen.

Kreu i Shtetit përshëndeti angazhimin e opozitës për hapjen 100% të listave, ndërsa shtoi se nëse mazhoranca dëshiron të garojë në zgjedhje me lista të mbyllura le ta bëjë por të mos pengojë partitë e tjera për hapjen e tyre.

Meta: Sa i takon zgjedhjeve për mua ka vetëm një gjë rëndësi, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Të gjithë kushtet e BE dhe domosdoshmëria e vendosjes së legjitimitetit të plotë në vend të gjithë institucioneve e kanë këtë një kërkesë ultimative. Vetëm e ardhmja e Shqipërisë larg kësaj çmendurie që i ka lodhur shqiptarët kaq shumë, i ka varfëruar, përçarë dhe polarizuar kaq shumë në mënyrë artificiale dhe i ka larguar dhe kaq shumë nga vendi. I ftoj të gjithë aktorët politikë ti qëndrojnë marrëveshjes së arritur me aq mund të 5 qershorit, të mos devijonë asnjë milimetër nga ajo marrëveshje, të mos përdorin gjoja sebepin e listave të hapura për të prishur marrëveshjen. Përshëndes opozitën e cila ka qenë e gatshme për hapjen e listave 100% dhe mendoj se është në dinjitetin e të gjithë forcave politike ta bëjnë këtë gjë në mënyrë që qytetarët të zgjedhin edhe deputetë brenda forcave politike meqenëse partitë shqiptare kanë kohë që nuk bëjnë zgjedhje brenda tyre. Nëse mazhoranca nuk dëshiron ti hapë listat le ti bëjë të mbyllura por nuk ka pse pengon forcat e tjera politike. Në rast se do të kemi një shkelje të njëanshme sikurse është vepruar dhe me ndryshimet kushtetuese që u bë në mënyrën më antikushtetuese është e qartë se kemi tentativë për grusht shtetit dhe kuptohet që grushti i shtetit do të shtypet nga grushti i popullit, është më i madh grushti i popullit se grushti i shtetit.