Mos më paragjykoni për mbiemrin, vlera e tij s’është baraz me plumbin

Mos më paragjykoni për mbiemrin, vlera e tij s’është

Shoqja ime do të thonte që po i qëndis, po më lejoni t’ju shkruaj dy fjalë për atë ç’ka unë mbart tërthorazi me mbiemrin tim.


Në këtë luftë të madhe fetare që tashmë ka konotacione të tmerrshme politike ndihem pafajësisht e dhunuar psikologjikisht. Shumë gjëra në jetë ti je e detyruar t’i mbash apo t’i integrosh si pjesë të identitetit tënd. Ashtu siç nuk zgjedh familjen, nuk zgjedh as shtetësinë, as vendlindjen, as mbiemrin… as mbiemrin.

Unë e kam mbiemrin Islami, njëjtë si feja ime islame. Sot ujëvarat e akuzave rëndojnë mbi të, si të ishte shkaktarja e fatkeqësisë. Më lejoni t’ju them që jam krenare për atë që mbart mbiemri im në vetëvete, paqe, dashuri, besimi ndaj Zotit tim, hare, barazi. Besoj në Zotin tim njëjtë si një mik i imi katolik, ortodoks, hebre apo kam konfuzionet e mia në disa raste njëjtë si miku im laik.


Sot në këtë botë të ndërtuar mbi udhëkryqe që shpesh nuk i kuptojmë, unë mbaj mbiemrin Islami, njëjtë si feja ime islame.

Nëse ndoshta nuk e dinit, unë kam studiuar një lënde që quhet “Besime Fetare“ dhe aty arrita t’i jap drejtim “injorancës time“ dhe të mësoja që Allahu nuk është Zoti i islamikëve, por Allah nga arabishtja do të thotë vetë Zot.

Fjalën Allah e gjej në rrugët e Parisit, në rrugët e Vienës, në Suedi, në Siri, në Liban apo edhe nën rrënojat e pallateve në Izmir.


Do më thoni që diku i kërkohet ndihmë dhe diku hiqen sikur po bëjnë mirë për të? Kam tërësisht mendim tjetër!!!


Politizimi që i është bërë islamit e ka ngulur atë në një tabelë, ku i drejtohen vetëm thika me shenjestër, plumba me furi dhe hanxharë lyer me gjakun e udhëtarëve të kësaj bote. Edhe në Kur’an thuhet fundja që jemi udhëtar, kalimtar në këtë botë. Përdhosja e një besimi ndaj një Zoti është ajo ç’ka po e bën botën e kalimtarëve egoiste, të pajetueshme, vrastare, torturuese.


Me lejoni t’ju përsëris se unë e kam mbiemrin Islami, njëjtë si feja ime islame. Ndoshta nuk mund të më kuptoni, por unë arrij ta shikoj mllefin tuaj. Unë nuk kam bërë asnjë mëkat, ndaj mos më etiketo me emrin radikale. Fenë edhe mund ta ndërrosh, por nuk dua ta zgjedh këtë rrugë. Jam e lumtur në parimet e mia dhe për mua feja nuk ka shumë rëndësi. Nëse në fund të ditës vendos të besosh në Zot, ne të dy besojmë te i njëjti, por i kemi vendosur emra të ndryshëm.


Ndaj mos më paragjyko prej mbiemrit, as prej fesë time. Islami nuk është krim, është nevoja për t’u lutur në një Zot të vetëm që ne i kemi vendosur emra të ndyshëm. Unë kam mbiemrin Islami, njëjtë si feja islame dhe ky nuk është mëkat. Ti mos më shiko si mëkatare! Po luftoj më fort se sa ti me terrorizmin, ballë përballë, sepse jam praktikante e islamit.


E shikon gjatë gjithë kësaj kohe kam thënë vetëm islam, askund nuk lexove radikal. Kurrësesi nuk duhet të më imagjinosh me armë në dorë. Unë kam mbiemrin Islami, njëjtë si feja islame, kjo është një barrë e bukur, ashtu sikurse Krishti mbi një katolik apo ortodoks. Për mua jemi njëjtë. Nuk mund ta mbaj barrën e një të panjohuri që i ka marrë mendja erë.

Mos më shiko si mëkatare, unë nuk predikoj për të rekrutuar askënd. Ashtu në rrjedhën e jetës të gjithë u kapëm pas diçkaje. Unë kam mbiemrin Islami dhe jam e lumtur që kam miq të shumë feve, ndaj jetoj mire. Unë nuk bëj politikë me fenë time, sepse është personale, është e imja. Nuk kam nevojë të bind askënd, sepse nuk jam e devotshme. Nuk falem, lutem kur ndihem në grackë, nuk kam shkelur kurrë në xhami, madje në kisha po shumë herë, por për mua nuk bëjnë ndryshim. Janë konsideruar shtëpi e Zotit të gjitha.
Ndaj të lutem mos mu drejto me gishtin e fajit. Duart e mia nuk kanë gjak!

Unë nuk jam mëkatare! Unë nuk jam vrasëse! Mbaj të njëjtën fe, si dikush tjetër që e gjen të thjeshtë të marrë armën e të qëllojë rrugëve. Nuk është përgjegjësia ime, andaj dhe viktima nuk barazohet kurrë me agresorin.
Lëreni luftën fetare në një anë, mbajeni në zemrën tuaj! Na lini të jetojmë në halle më të mëdha se ky dhe mos ma drejto mua gishtin prej mbiemrit tim. Kuptimi i tij nuk është baraz me plumbin!


Ps: Ky nuk është predikim fetar, por mesazh kundër terrorizmit dhe luftës të hapur ndaj muslimanëve.

  • Tea Islamaj është gazetare e redaksisë online Oranews.tv

Lajme Opinione opinion terrorizmi islami tea islamaj

EMISIONET