Letërsia shqiptare humbi një tjetër personalitet. Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare u nda nga jeta  sot në moshën 85-vjeçare.

Ikja e tij është një humbje për poezinë shqipe, pasi është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Faslli Haliti është edhe ish-deputet i PS-së.

Kush është Faslli Haliti?

Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935 dhe ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973.

Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit.

Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Ai është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare dhe është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht.

Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë.U shpalll qytetar nderi në qytetin e Lushnjës. Në 2017-ën ka fituar çmimin e madh “Poeti më i mirë i vitit” , dhënë nga Fondacioni Kulturor “Harpa”. 

Meta dhe Ruçi vlerësojnë Halitin

Presidenti Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit teksa ka ndarë edhe kujtimet me të si ish-politika.

Meta: Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj.

Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve.

Të paharruara kanë mbetur për mua vargjet e një prej poezive të tij më të arrira “Për mirë”:

“Gati

Për rënie,

Për shembje,

Rrëzim.

Monument shtrembës!

Shembu, rrëzohu më mirë!”

Për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Haliti, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve e shkrimtarëve shqiptarë.

U prehtë në paqe!

Edhe kryetari i Kuvendit,  Gramoz Ruçi, në një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të poetit Faslli Haliti.

Ruçi: Faslli Haliti ishte një shkrimtar dhe poet i shquar i Shqipërisë, që me talentin, bindjet dhe pasionin e tij i dha kulturës kombëtare krijime e vlera të spikatura. Haliti ishte një poet origjinal dhe me origjinalitetin e tij ndihmoi në ndryshimin e poezisë dhe të kulturës shqiptare.

Modest dhe modern, tragjik dhe madhështor njëkohëisht, la shënja të pashlyeshme në kulturën shqiptare. Ai “përktheu” në art mençurinë popullore dhe me krijimtarinë antidogmatike Haliti krijoi një kozmogoni poetike mjaft të pasur.

Me shpirtin e tij prej demokrati të vërtetë, ai e “përktheu” demokracinë e motiveve të artit të vet në një shërbim publik, duke kontribuar për katër vjet si deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Laboratori i tij krijues dhe trashëgimia kulturore e qytetare janë një pasuri e madhe që Faslli Haliti u la kulturës kombëtare dhe brezave të ardhshëm.