Model ekonomik perfekt, Kina në 2028 ekonomia më e madhe e botës

Model ekonomik perfekt, Kina në 2028 ekonomia më e madhe e botës

Kina mund të jetë ekonomia më e madhe e botës në vitin 2028, dhe mund të lë pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës pesë vite më herët sesa pritej.

Qendra britanike për Studime në Ekonomi dhe Biznes vlerësoi në fundjavë mënyrën se si Pekini e ka administruar pandeminë e Covidit-19, krahasuar me SHBA-në dhe Europën.

Masat e hershme dhe të suksesshme të izolimit të popullatës, që u kursyen këtë dimër ndryshe nga kudo tjetër, mendohet se do i japin pasojat pozitive në muajt që do të vijnë.

Kina humbi rreth 4.600 persona nga pandemia e Covid-19, ndërsa në dallim nga ajo, SHBA-ja rezulton vendi më i goditur me më shumë se 330 mijë viktima.

Përpos krizës epidemike, përplasjet e brendshme politike atje rrezikojnë të lënë 14 milionë amerikanë të papunë dhe pa ndihmë ekonomike.

Ekonomia e SHBA-së pritet të rritet përvit me 1,9 për qind deri në 2024-ën, ndërkohë që ekonomia kineze me 5,7 për qind dhe pastaj me 4,5 për qind për periudhën 2026-2030.

Ekonomia kineze gjithashtu e ka rritur pozitën e saj globale nga 3,6 për qind në vitin 2000 në 17,8 për qind në vitin e fundit.

Këto zhvillime, megjithatë, pritet të kenë pak efekt në gjendjen financiare të shtetasit mesatar kinez për shkak se popullsia e Kinës është katër herë më e madhe sesa e SHBA-së.

Qendra britanike për Studime në Ekonomi dhe Biznes parashikon që India të zërë vendin e tretë në botë për përmasat e ekonomisë në fund të dekadës, duke kaluar Gjermaninë dhe Japoninë.

Ndërkohë parashikimet për ekonominë britanike pas Breksitit janë pozitive, me një rritje prej 4 për qind çdo vit në 2021-2025, dhe me 1,8 për qind deri në 2030-n.

Bota Ekonomi Lajme ekonomi Kina Qendra britanike për Studime në Ekonomi dhe Biznes

EMISIONET