Në një intervistë për Ora News, mjeku pneumolog Zamir Çapo u shpreh se në kohën e diagnostifikimit të tij, tamponi iu bë me vonesë.

Ai tha se nëse do të kishte pritur tamponin, situata do të ishte përkeqësuar, por nuk ndodhi pasi ai ndoqi një tjetër linjë si specialist.

Zamir Çapo: Ka pasur një indiferencë nga shërbimi që merr tamponin, duke u marrë me vonesë. Nuk duhej që të më komunikohej që të karantinohesha, por edhe të më bëhej tamponi. Nëse unë do të kisha pritur përgjigjen e tamponit, situata do të ishte përkeqësuar, por unë jam specialist i fushës ndoqa një linjë tjetër. Tamponi është me shumë vonesë dhe përgjigja është marrë me shumë vonesë dhe përgjigja është dhënë kur unë isha i diagnostifikuar. Kjo vonesë bën që gjendja e të sëmurit të rëndohet, prandaj nuk duhen mbajtur shpresat vetëm te tamponi.

Çapo theksoi se është mirë që mjeku i familjes është angazhuar dhe se duhet vëmendje maksimale ndaj të sëmurëve, pasi nuk mjafton vetëm tamponi.

Zamir Çapo: Më vjen mirë që po e shoh të angazhuar mjekun e familjes. Po e shoh disi të angazhuar, por jemi në një tjetër stad, pasi duhet vëmendje maksimale ndaj të sëmurëve, se nuk mjafton tamponi, por edhe shumë analiza të tjera. Nuk jemi në kohën kur duhet të rrimë në shtëpi, të lajmë duart dhe të hapin dritare, por jemi në një fazë kur çdo person duhet ta shikojmë si me Covid-19.

Çapo foli edhe për rrezikun e prekjes së mushkërive, prandaj duhet treguar kujdes edhe nga mjekët e përgjithshëm.

Zamir Çapo: Duhet pasur shumë kujdes sepse e rrezikshme është prekja e mushkërisë. Mjekët e përgjithshëm duhet të tregojnë shumë kujdes, pasi duhet një monitorim nga afër, qoftë edhe me një analizë gjaku të thjeshtë ose matjen e oksigjenit në gjak, sepse ka një kosto të ulët. Nëse ulet oksigjeni në gjak, është një moment ku pacientët duhet të marrin një shërbim më të specializuar.

Referuar infektimit të tij dhe mbajtjes së telefonit në spital, Çapo se një pacient i intubuar apo me lëvizje të kufizuara motorike nuk ka pse të mbajë telefon.

Zamir Çapo: Në Sanatorium kam marrë shërbim si të gjitha pacientët e tjera, shërbimi ka qenë shumë i mirë. Sa i përket telefonave, duhet të kuptojmë se ka të sëmurë lehtë dhe ka sëmundje që janë rëndë, deri në intubim. Nuk mund të pretendojmë se duhet t’i lihet telefoni një personi që merr oksigjeni. Një pjesë e tjetër, nuk ka mundësi që të bëjë lëvizje mekanike dhe besoj se nuk kanë kohë që të merren me telefona. Sigurisht që familjarët kanë të drejtën që të informohen, por nuk e di nëse një mjek ka kohën që t’i informojë që të gjithë një nga një. Ndërsa, sa kam qenë unë i shtruar nuk ka pasur një psikolog. Do të ishte mirë se një nga të gjitha shenjat është që ka gjendje depresiviteti.

Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti A. Kurti