Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Tempora” nga Sonila Meço  në RTV Ora ka qenë i ftuar mjeku ekspert i Shëndetit Publik, Erion Dasho  i cili ka bërë të ditur se Shqipëria këtë dimër rrezikon të ketë një numër të lartë vdekjesh si pasojë e Covid-19.

Gjatë fjalës së tij  Dasho bëri të ditur skenarin e frikshëm me 5,700 humbje jetë deri në fund të dimrit nëse do të bazohemi te statistikat e INSTAT.

“Kryetari i opozitës ka deklaruar në media se ishin 2-fishi i numrave. Aq sa ishin persona të deklaruar SARS-Cov 2 pozitiv  po aq ishin dhe persona të padeklaruar të prekur nga SARS. Kishin dalë të vdekur nga spitalet me diagnozë Covid, sepse në dokumentet e morgut thuhej qartë diagnoza Covid, por jo të raportuar si Covid. Pra, kjo do të thotë që nuk jemi më te 1400 persona por projeksioni shkon në 2800.

“Mos harrojmë edhe një fakt më të rëndë akoma. Kur INSTAT publikoi statistikat e tre-mujorit të tretë, korrik, gusht, shtator numri i vdekjeve nga Covid dukej qartë që ishte katër  herë më i lartë se numri i vdekjeve i raportuar nga qeveria. Nëqoftëse Ministria në periudhën, korrik, gusht, shtator raportoi 322 vdekje,  INSTAT raportoi 1288 vdekje extra që kanë ndodhur në të njëjtën periudhë.

Vdekje të cilat nuk kanë asnjë shpjegim tjetër përveç Covid-it. Pra, kemi katër herë më shumë vdekje të raportuara nga INSTAT sesa ka raportuar qeveria. Në këto kushte na lind e drejta që të bëjmë projeksionin e tretë i cili është edhe më i rëndi. Nëqoftëse shifrat e INSTAT merren të mirëqena sepse janë statistika vdekjesh dhe lindjesh, janë statistika vitale të shtetit shqiptar, atëhere rrezikojmë dhe mund të themi që gjatë dimrit të ndodhin 5700 vdekje nga Covid”– bën të ditur mjeku Dasho gjatë fjalës së tij.

F.K/ Ora News