Të sëmurët dhe mjekët po përballen me temperaturat e larta të këtij korriku dhe ajri i kondicionuar në spitalet Covid në QSUT duket se është luks.

Situata bëhet më e vështirë për bluzat e bardha që punojnë në kushte ekstreme, me veshje plastike, maska,  doreza dhe çizme që shpesh herë u duhet ti mbajnë më shumë se 8 orë.

Për ti dhënë zgjidhje këtij problemi, mjekja hematologe Alma Cili ka nisur një fushatë për mbledhjen e një donacioni 30 mijë euro që do të mundësonte sistemin e kondicionimit në QSUT.

E ftuar në Rtv Ora ajo tregoi se nga e mori pikënisjen nisma e saj.

Cili: Ne e kaluam shumë rëndë në familjen tonë dhe vura re që im shoq dhe unë ndiheshim më mirë fizikisht nëse kondicionerët ishin ndezur dhe ishim me shtëpi buzë detit, 200 metra larg. Mendova si ndihen këta pacientë me temperaturë kaq të lartë dhe këto ditë që është një vapë përvëluese.

Në dimër kemi ngrohje, problemi është në verë.Ndizet në nëntor dhe fiket në prill. Por muajt e verës janë të tmerrshëm. Nuk janë vetëm pacientët, janë mjekët e Covidit. Besoj se brenda trupit të tyre  temperatura është ekstremisht e lartë. Duhet të mendojmë për këto gabime mjekësore. PPP si kam kuptuar kurrë dhe nuk do tu kuptoj asnjëherë.  Punojnë me orë të tëra, ka raste vinë në 7 të mëngjesit dhe largohen në 9 të darkës. Është një video ku mikja ime Ana Luca heq çizmen dhe duket sikur i kishte futur ujë brenda por ishte thjesht djersë.Është një punë kolosale, nuk mund të lejojmë të vazhdojmë.

Ajo tregoi se i ka drejtuar një thirrje Kryeministrit, por pa përgjigje.

Cili: Duke qenë se e provova në lëkurën time i kam bërë një thirrje kryeministrit, nuk mora asnjë përgjigje.  Për 30 mijë shqiptarë do të ishte vetëm 1 euro, kafja jonë e përditshme. Duhet aspirim dhe kondicionim. Besoj se QSUT i ka por kanë gjëra më emergjente, por kjo është primare.

Shqetësimi ka shkuar deri te Ambasadorja Yuri Kim, duke qenë se doktoresha është shtetase amerikane.

Cili: Ende nuk kam marrë përgjigje, por besoj se do të reagojnë.

Edhe për epidemiologun, Taulant Muka, një situatë e tillë në QSUT është e paimagjinueshme.

Muka: Është e paimagjinueshme që sot në 2020 në QSUT nuk ka ajër të kondicionar dhe pacientët Covid që duhet të kenë trajtim special të rrinë në temperatura 40 Gradë. Sapo erdha në Shqipëri dhe siç më shikon po kulloj djersë pa ajër të kondicionuar.

Por duket se shpresa për realizimin e kësaj sipërmarrje për qytetarët shqiptarë do të jenë vetë ata.

Cili: I drejtohem gjithë publikut shqiptar që beson dhe e ndjen se ai spital duhet të ndryshojë, 1 euro nuk do të ishte asgjë. Bëni një donacion fare minimal për atë spital që është i gjithë shqiptarëve.