Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Athinë ku është takuar edhe me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis.

Në axhendën e bisedimeve ishte kriza me Turqinë, tensione të cilat, sipas Lavrov, duhen ulur.

“Ne diskutuam rreth situatës në Mesdheun Lindor dhe rajonin e gjerë, e cila është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeopolitike. Ne jemi dakord që tensioni i krijuar në rajon duhet të de-përshkallëzohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që vendet të vazhdojnë të zgjidhin të gjitha problemet – të cilat nuk janë të pakta në rajon, përmes dialogut të drejtpërdrejtë”, tha Sergei Lavrov, citojnë mediat greke.

Sa i përket çështjes së kufijve detarë, gjë për të cilën Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord ta çojnë në Gjykatën e Hagës, kryediplomati rus u shpreh se mosmarrëveshjes duhet të zgjidhen ndërkombëtarisht.

“Kjo vlen edhe për çështjet sipas Konventës për Ligjin e Detit, të vitit 1982, kur lindin çështje midis vendeve fqinje interesat e të cilëve kryqëzohen dhe duhet të ketë një zgjidhje përmes marrëveshjeve ndërkombëtare”, tha kryediplomati rus, përcjell Ora News.

Kujtojmë se, dy ditë më parë ishte vetë Mitsotakis, i cili në një deklaratë në parlamentin grek, dot ë njoftonte sërish zgjerimin me 12 milje në Detin Jon e më pas dërgimin e çështjes në Hagë.

Lavrov nuk ka lënë pa përmendur as tensionet e fundit mes Francës dhe Turqisë.

“Turqia, në rolin e një kryengritësi, shkel legjitimitetin ndërkombëtar, duke minuar paqen në shumë pjesë të ndjeshme të botës”, tha Kyriakos Mitsotakis, duke shtuar se ai është veçanërisht i shqetësuar për faktin se Turqia “rrethon veprimin e saj agresiv me një mantel fetar duke rrezikuar harmoninë mes popujve dhe feve”.

“Jam plotësisht dakord me ju që përpjekja për të përdorur faktorin fetar në lojërat gjeopolitike është shumë e rrezikshme. Për vite me radhë, brenda kornizës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ne kemi promovuar iniciativën për të njohur jo vetëm antisemitizmin, por edhe kristianofobinë dhe islamofobinë si akte të dënueshme. Greqia gjithashtu mbështet këto çështje, ne kemi qasje të përbashkët. Ne do ta çojmë këtë çështje në Këshillin e Evropës dhe është shumë e kënaqshme që tani, nën Presidencën Greke të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Greqia po promovon vlera të përbashkëta Evropiane. Dhe bisedat e mia sot konfirmuan edhe një herë se – siç e thatë ju – pjesëmarrja e Greqisë në Bashkimin Evropian dhe NATO nuk pengon zhvillimin e marrëdhënieve midis vendeve tona. “Sigurisht, do të ishte e dëshirueshme që Bashkimi Evropian dhe NATO të mos na pengonin për të zhvilluar këto marrëdhënie,” tha Lavrov.