Ishte kjo përshëndetje në shqip që të mërkurën shkaktoi debat në parlamentin e Serbisë ku qeveria e re prezantoi platformën politike.

Protagonist i replikave u bë deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, përfaqësuesi i Luginës së Preshevës i cili prej fillimit nuk e fshehu revoltën për pushtetin e fituar nga shumica më 21 qershor.

Kamberi propozoi rrëzimin e qeverisë që ai e quajti një kukull të kontrolluar në nivel ekzekutiv, parlamentar dhe shtetëror nga presidenti Aleksandër Vuçiç.

“Kush do ta kishte menduar se një ditë, opozitën parlamentare në Serbi do ta përfaqësonin vetëm deputetët shqiptarë të Luginës së Preshevës dhe boshnjakët e Sanxhakut? Një opozitë me 6 deputetë nga 250 të trishton. Një parlament të tillë nuk e prodhoi as Slobodan Milosheviçi. Po ja që z. Vuçiç dhe z. Daçiç po dëshmohen më efikasë sesa baballarët e tyre ideopolitikë.”

Politikani preshevar bashkë me 2 kolegët e tjerë shqiptarë që siguruan këtë vit mandatin për deputet, e kundërshtoi zgjedhjen e ish-kryediplomatit, Ivica Daçiç, në krye të parlamentit serb.

“Ai i ka takuar një elite politike e cila ka shkaktuar luftëra të përgjakshme në ish-Jugosllavi, pasojat e të cilave ndihen e reflektohen ende në pozitën e palakmueshme të pakicave nacionale. Daçiçi në vazhdimësi ka shprehur urrejtje dhe po bën përpjekje për të mohuar krimet ndaj shqiptarëve,” shtoi Kamberi teksa iu bë thirrje të ndalte akuzat ose do i nënshtrohej masave.

Ndërkohë, seanca e së mërkurës vijoi me prezantimin e kryeqeveritares serbe, Ana Bërnabiç.

Ajo tha se qeveria serbe do të ketë gjashtë objektiva kryesorë: ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, luftën kundër mafies, pavarësinë në vendimmarrje, përparimin ekonomik dhe sfidën e madhe politike të vazhdimit të dialogut me Prishtinën.

 “Qeveria jonë do të vazhdojë të ndjekë politikën e mbrojtjes së interesave jetësorë kombëtarë, me synimin për të mbrojtur popullin, trashëgiminë kulturore por edhe paqen dhe stabilitetin në rajon.”

Bashkë me Partinë Përparimtare Serbe që ka më shumë se dy të tretat e mandatave, qeveria e re përfshin Partinë Socialiste të Daçiqit dhe Aleancën Patriotike Serbe e cila ka qenë në opozitë, ndërsa rreth 50 përqind e anëtarëve të saj do të jenë gra dhe figura të reja.