Covid shuan familjen në Rubik, prindërit dhe djali “viktima” të virusit brenda një jave

Covid shuan familjen në Rubik, prindërit dhe djali

Virusi vdekjeprurës i Covid 19 ka shkaktuar një tragjedi familjare në Rubik të Mirditës, ku tre anëtarë të një familje humbën jetën në harkun e një jave pasi nuk mundën ta fitojnë betejën. Numri i viktimave po shtohet edhe mes të rinjve, ku e radhës është një 22-vjeçare.

Koronavirusi shkaktoi tragjedi në familjen Cara në Rubik.Tre anëtarë e humbën jetën në harkun e një jave.

Bashkëshortet Dushe dhe Hamit Cara, përkatësisht 72 dhe 83 vjeç si dhe djali i tyre Albani, 43 vjeç nuk mundën të fitojnë betejën me virusin.

Fillimisht ishte infektuar kryefamiljari, i cili është trajtuar në kushte shtëpie dhe nuk mundi të mbijetojë.

Në të njëjtën ditë i biri ndërroi jetë në Spitalin e Lezhës, ndërsa një javë më pas nëna Dushe Cara tek “Shefqet Ndroqi".

Ajo kishte humbur të vëllanë, në ceremoninë mortore të të cilit dyshohet se u infektuan.

"Para një muaji ka vdekur vëllai i kësaj gruas. Pas kësaj janë sëmurë këta."

"Fillimisht janë mjekuar në banesë, pastaj Dushja u transportua në Covid 2, kurse Albani ndërroi jetë në spitalin e Rrëshenit."

Tragjedia ka tronditur qytetin e vogël dhe vjen si këmbanë alarmi për respektimin e masave anti-Covid.

"Na ka tronditur të gjithëve, Albani la dy djem, 17 dhe 18 vjeç."

Covid vijon të shënojë viktima edhe mes të rinjve. Një 22-vjeçare nga Erseka humbi jetën pasi qëndroi për rreth një muaj e shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë e prej një jave në intubim.

E reja vuante edhe nga sëmundje autoimune, çka ka ndikuar që ajo të mos e fitojë betejën me virusin vdekjeprurës.

EMISIONET