Gjermania i sheh me rezerva deklaratat politike për bashkimin, dikur, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Tezën e përsëriti të enjten kandidati për kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, pasi kishte sugjeruar më parë një referendum për çështjen.

Por gjatë një konference me homologun serb, kryediplomati i Gjermanisë, Hajko Mas, deklaroi se kjo nuk i ndihmonte të dyja vendet.

“Diskutimet për ndryshimin apo zhvendosjen e kufijve nuk na çojnë përpara. Nuk e di si do të reagonte Brukseli por kjo është linja që ndjekim ne. Qeveria e re e Kosovës duhet të merret intensivisht me çështjet e pazgjidhura, për perspektivën e saj europiane.”

Ministri Mas tha se më rëndësi ka vijimi i dialogut për normalizimin e raporteve Prishtinë-Beograd, tashmë edhe me nxitjen e administratës amerikane.

Diplomati më i lartë serb, Nikola Selakoviç, shprehu gatishmëri për marrëveshjen përfundimtare.

“Thelbi i qëndrimit të Beogradit për raportet me Prishtinën është nevoja për kompromis. Kjo nënkupton një qasje serioze nga e cila asnjëra nga palët nuk do të merrte gjithçka, por që të dyja do të merrnin mjaftueshëm.”

Kërkesën për kompromis e përsëriti të mërkurën edhe presidenti i Serbisë gjatë një takimi me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun.

Aleksandër Vuçiç tha se ai pret që shkëmbimet diplomatike me qeverinë e re kosovare mund të nisin nga muaji i ardhshëm.