Meta për 30 qershorin: Shpresoj që Kushtetuesja të mos ketë votime të karakterit politik sipas interesave të ndryshme

Meta për 30 qershorin: Shpresoj që Kushtetuesja të mos ketë

Presidenti, Ilir Meta, ia doli të fitojë 6 çështje në "gjykatat" ndërkombëtare përballë mazhorancës por në 2021 e presin dy procese të rëndësishme në gjykatat vendore.

Kushtetuesja ka në dorë dy ankime të Presidentit Meta, për zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe Teatrin Kombëtar, që do të jenë në njëfarë mënyrë edhe një test për trupën e re gjykuese tashmë me 7 anëtarë.

Meta: Ju jeni dëshmitarë që vendi mbeti tre vite pa Gjykatë Kushtetuese për dy arsye: Së pari, mazhoranca kërkonte ta kapte me çdo çmim Gjykatën Kushtetuese, për këtë arsye u bllokuan të gjitha KED vit pas viti nga mazhoranca dhe nuk u plotësuan vakancat që u krijuan gjatë këtyre viteve. Së dyti, një qeveri pa gjykatë Kushtetuese ishte e lirë të bënte çfarë të donte, të shkelte Kushtetutën sepse askush nuk mund ta gjykonte dhe t'ja rrëzonte aktet e saj antikushtetuese sikurse edhe ka ndodhur. Kjo është një nga arsyet që janë gati 40 ligje të kthyera mbrapsht apo të denoncuara si antikushtetuese. Padyshim që Gjykata Kushtetuese ka sfida shumë të rëndësishme përpara të cilave do të konfirmojë edhe integritetin e saj dhe besnikërinë e anëtareve të saj ndaj Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Sa i takon çështjes së zgjedhjeve vendore unë mendoj se raporti i ODIHR dhe ambasadores Glover është shumë i qartë për këto çështje, megjithatë i takon Gjykatës të marrë vendimin e saj dhe të tregojë se ku qëndron ajo në raport me Kushtetutën.

Meta nuk është aq entuziast sa ndërkombëtarët, pasi sipas tij misioni i plotë për Kushtetuesen do të jetë përmbushur kur ajo të ketë 9 anëtarë.

Për emisionin "Tempora" në Rtv Ora, Presidenti shpreson që Gjykata Kushtetuese të orientohet gjithmonë drejt respektimit të Kushtetutës dhe të mos ketë votime të karakterit politik sipas interesave të ndryshme.

Meta: Nuk kam shprehur ndonjë entuziazëm të madh për emërimet e fundit në Gjykatën Kushtetuese për arsye se Gjykata është plotësisht funksionale kur ajo është me 9 anëtarë. Kjo bën të mundur që të ketë kapacitetin e duhur për të marrë vendime dhe të japë drejtësi. Në këtë drejtim duhen bërë të gjitha përpjekjet për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese por ndërkohë ajo duhet të vihet në lëvizje pasi janë shumë çështje në proces dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të orientohet gjithmonë drejt respektimit të Kushtetutës dhe të mos ketë votime të karakterit politik sipas interesave të ndryshme.

Vendi Lajme ilir meta Politikë tempora 2020 gjykata kushtetuese zgjedhjet e 30 qershorit

EMISIONET