Meta nxjerr letrën, Rama dhe Balluku në dijeni të shqetësimeve të punonjësve të Albkontroll që me 2 prill

Bllokimi i fluturimeve të aeroportit “Nënë Tereza” është kthyer në fushë beteje mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta.

Pas akuzave të kryeministrit për “grusht shteti” të motivuar nga presidenti Meta dhe ish-kryeministri Berisha me qëllim rrëzimin e qeverisë, Presidenti ka publikuar letrën që mban datën 2 prill, me të cilën  vë në dijeni

kryeministrin ,ministren Balluku dhe ambasadat e SHBA e BE për shqetësimet e Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror.

Në letër thuhet se sindikata ka informuar presidentin se vendimmarrjet e Këshillit Mbikqyrës të Albkontroll kanë shkelur një sërë rregulloresh dhe manualësh që lidhen me ruajtjen e sigurisë së operimit të trafikut ajror në hapësirën ajrore shqiptare duke vënë në rrezik individualisht dhe kolektivisht trupën e kontrollorëve të trafikut ajror, shoqërinë Alkontroll por edhe sigurinë  e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu anëtarët e sindikatës kanë bërë me dije se për këto shqetësime nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet përgjegjëse edhe pse kanë kaluar 10 muaj, madje as gatishmërinë për të diskutuar me sindikatën për një zgjidhje.

Situata bëhet edhe më shqetësuese në kushtet kur shumë shpejt do të nisë edhe stërvitja e përbashkët "Defender Europe 21", duke cënuar edhe sigurinë kombëtare.

Për këto arsye Meta i kërkon Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës verifikimin dhe trajtimin e problematikës së krijuar me shumë seriozitet si dhe ta vërë në dijeni mbi zgjidhjen e kësaj situate.

Sakaq Presidenti ka njoftuar edhe një konferencë  nga Vlora për sqarimin e kësaj çështje.

Meta: Qeverisë së 1 Prillit do t’ia jap sot pasdite nga Vlora përgjigjen për çështjen e Aeroportit të Rinasit, si çështje shumë e rëndësishme e sigurisë kombëtare dhe e detyrimeve ndërkombëtare. Nëse është hapur Aeroporti i Vlorës, konferencën e shtypit do e bëjmë atje, por nëse jo, në një ambient tjetër të përshtatshëm për të cilin gazetarët do të njoftohen në kohë. Ftohet dhe “Tërmeti” të marrë pjesë për shkak të përvojës së tij me aeroportet, fluturimet dhe jo vetëm.

EMISIONET