Presidenti Ilir Meta është i bindur se vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ta pastrojnë politikën nga krimi.

Deklaratën, kreu i shtetit e dha nga Vlora, paraditen e sotme pasi mori pjesë në Konferencën Shkencore me temë “Lufta Kombëtare e Vlorës, luftë për mbrojtjen dhe rikonfirmimin e Pavarësisë”.

Ilir Meta: ‘’Mendoj që ka ardhur koha që përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të pastrohet gjithçka në vendin tonë dhe të kemi institucione demokratike e legjitime. Vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme pastrojnë politikën nga elementë kriminale apo të korruptuar, të cilët për intersa grupesh të ndryshme, kërkojnë të mbajnë peng funksionimin e shtetit ligjor në mënyrë të plotë dhe europiane.”

Një ditë më parë ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim, u bëri thirrje krerëve të partive politike, për të mbajtur përgjegjësi dhe për të bërë vetting për çdo kandidat: Mos kandidoni të korruptuar dhe as kriminele.

KQZ e re, Meta: Nëse ka vullnet, çështje që zgjidhet thjeshtë

Sa i takon formimit të KQZ-së re, Meta tha se nëse ka vullnet për respektimin e marrëveshjes së 5 qershor, kjo çështje mund të zgjidhet fare thjeshtë.

Ilir Meta: ‘’Këto KQZ-së më duken gjëra të vogla. Nëse ka vullnet këto çështje mund të zgjidhen fare thjeshtë. Nëse ka vullnet për zgjedhje të lira e demokratike, nuk shoh ndonjë arsye pse mos të zgjidhen.  Nëse ka vullnet për të respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, nuk shikoj asnjë problem. Këto të gjitha janë detaje.’’

Data e zgjedhjeve, Meta: Do konsultohem me krerët e partive

Presidenti tha se do konsultohet me krerët e partive për të caktuar një datë për zgjedhjet.

Ilir Meta: ‘’Nuk mund të themi asgjë sepse më duhet të dëgjoj përfaqësuesit e partive politike dhe më pas do të flasim me siguri. Kam kërkuar takim me të gjithë krerët e forcave parlamentare, janë të mirëpritur, më pas do kemi një vlerësim më përfundimtar.’’

Negociatat për kufirin detar me Greqinë, Meta: Kujdes nga deklaratat në publik

Për rifillimin e negociatave për kufirin detar me Greqinë, Meta tha se do të ketë sjellje në përputhje me kushtetutën nga ana e tij, dhe ftoi aktorët politik që të bëjnë kujdes me deklaratat.

Ilir Meta: ‘’Për këtë çështje, mendoj se sjellja ime ka qenë dhe do jetë vetëm shtetërore, klushtetuese dhe e përgjegjshme. I ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm me sjelljen e tyre në public, që edhe padashje mos të bëjnë deklaratata të cilat mund të përdoren në dëm të Shqipërisë nga kushdo.’’