Në një intervistë për Ora News, deputetja Rudina Hajdari komentoi lajmin për largimin e Ilir Metës nga Presidenca më 26 prill dhe marrjen e postit si kryeministër ose zv. Kryeministër.

Ajo tha se është shtyrja e një historie me të njëjtit njerëz që mbajnë postet politike për shumë vite.

Hajdari: Nuk dua të vijoj këto burime që vijojnë telenovelën e të njëjtës histori që njëra palë lë një post dhe shkon e merr postin tjetër. Mua nuk më interesojnë pasi shtyjnë procesin e një historie me të njëjtët njerëz që kanë marrë të njëjtat poste.

Rudina Hajdari do të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme si pjesë e Nismës Thurje. Ajo shprehu bindje se vota e 25 prillit 2021 do të “rrëzojnë” partitë e mëdha e do tu hapë rrugë partive të tjera politike.

Deputetja Hajdari tha se do të vijojë sërish betejën në Këshillin Politik për dy çështje, listat 100 përqind dhe votën e Diasporës.

Hajdari: Këshilli Politik besoj se do të rikthehet javët në vijim ku do të kemi dhe konstituimin. Do të merremi me ndryshimet kushtetuese dhe si përfaqësuese e opozitës parlamentare do të ngulmojmë në hapjen e listave 100 përqind. Po ashtu do diskutojmë dhe pikën e votës së Diasporës. Dy do jenë betejat e mia kryesore. Mendoj se marrëveshja e 5 qershorit e kreu detyrën e saj. U kaluan ashtu siç ishte parashikuar. Në një nga pikat e marrëveshjes ishte dhe vijimi i këshillit politik për të diskutuar çështje të tjera që kemi përpara siç janë shit-blerja e votës. Nuk cënohet 5 qershori. E para dua të jem e qartë që nuk do të ketë lista 70 përqind, vetëm 100 përqind. Ne duhet të ndjekim modelin e Kosovës që edhe me hapjen 100 përqind të listave, ruhen kuotat gjinore. Nuk mund të fshihemi pas kësaj arsye.