Presidenti Meta ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në Twitter lidhur me situatën e pandemisë.

Meta shkruan se infektimet dhe vdekjet po rriten çdo ditë, prandaj duhen shtuar testimet.

Meta shton se duhet rritur buxheti shëndetësor dhe se duhen ndalur koncesionet edhe PPP-të korruptive për oligarkët.

Meta: Qytetarët e infektuar po shtohen çdo ditë! Jetët e humbura po shtohen çdo ditë! Shto testimet!  Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19!  Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID! A e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19? A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas? Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët!

Në replikë me të, kryeministri Rama thotë se me shtim infektimesh po përballet bota mbarë.

Rama: Ilir, infektimet dhe humbjet e jetës po shtohen fatkeqësisht kudo në botë, pavarësisht nga testimet e nga dënglat e tua, Lulit, Monikës e Saliut! Sot në Itali kanë humbur jetën aq sa Shqipëria gjithsej. Krahasuar me numër popullsie i bie që duhet të kishim 30 vdekje në ditë! Si shpjegohet që tërë kjo botë nuk po ia del dot më mirë se ne, meqë këtu e paska fajin qeveria për rritjen e numrave? Pyetje kot kjo se ti je Shvejku, “Ç’më duhet mua ça them unë!”, jo Presidenti i Republikës! Si të ra kështu kallaji fare o njeri, çfarë do akoma nga Shqipëria!

Por presidenti nuk ndan të njëjtin mendim, ndërsa vë në sedër kryeministrin me premtimin e tij për shëndetësi falas.

Meta: Nuk ke plan! Nuk ke strategji! Ke vetëm propagandë! Çdo ditë po humbin jetën qytetarë! Çdo ditë numri i të infektuarve po shtohet frikshëm! Ku e ke shëndetësinë falas? Pse nuk ju rimburson çdo qindarkë që paguajnë për ilaçe pacientët që mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19? Pse nuk i shton testimet?Pse nuk e shton buxhetin për sistemin shëndetësor?Ti për vete nuk paguan asnjë kacidhe për ilaçe, ndërsa çdo shqiptari sot me arrogancë i thua: “Mos u sëmur se shteti nuk kujdeset dot për ty! As ilaçet nuk ja u paguaj!”

Mos i fshihni të dhënat për COVID-19 për të mbuluar paaftësinë tuaj në menaxhimin e kësaj situate, prag kolapsi!Mjaft me justifikime dhe batuta bajate!Si nuk u lodhe 8 vite duke vjedhur papushim me koncesione dhe PPP? Askush në botë nuk e shfrytezon pandeminë për të vjedhur si ti dhe Parlamenti yt monist që bën ligje për oligarkët në kulmin e kësaj fatkeqësie! Askush nuk mund të prishte Teatrin Kombëtar në gjendje të jashtëzakonshme për të ndërtuar kulla për oligarkët! MOS I FSHIHNI TË DHËNAT PËR COVID-19!

Lexo edhe: Meta: Të shtohen testimet, Qeveria të rimbursojë shtresat në nevojë

Rama: Do ta shihni me 25 prill, çetë e çakërdisur