Një 26-vjeçar me detyrë oksigjenit pranë spitalit të Kavajës është arrestuar pasi ka marrë 30 bombola oksigjeni dhe i ka shpërndarë në banesa të personave të prekur me COVID kundrejt pagesës. Mungesa e bombolave është konstatuar nga spitali, të cilët kanë denoncuar rastin në polici.
Pak ditë pas zbulimit të skandalit me sanitaren e “Shefqet Ndroqit”, Tire Alldërvishi, e cila ka zhvatur 8 milionë lekë të vjetra nga vajza e një pacienteje me Covid, policia ka zbuluar se oksigjenisti në spitalin e Kavajës, përfitonte para me bombolat e oksigjenit, të cilat i ka shpërndarë në banesa të qytetarëve të ndryshëm.
Mensur Shtylla është arrestuar pasi akuzohet se mori pa autorizimin e institucionit mjekësor 30 bombola oksigjeni për ti dërguar personave të infektuar me Covid-19.
26-vjeçari Shtylla ishte i vetmi person në spital që kishte përgjegjësinë e magazinimit të bombolave të oksigjenit.
Gjatë kohës që bombolat e oksigjenit merreshin nga pikat e autorizuara të mbushjes, i riu dyshohet se i shpërndante direkt tek qytetarët pa i dërguar në spital.
Mungesa e bombolave të oksigjenit është pikasur fillimisht nga vetë punonjësit e spitalit të Kavajës, të cilët kanë nisur verifikimet.
Pas disa ditësh mjekët e spitalit të Kavajës kanë konstatuar se bombolat e oksigjenit janë vjedhur nga oksigjenisti 26-vjeçar.
Më 11 janar drejtuesit e spitalit të Kavajës i kanë dhënë masën e pushimit nga puna dhe denoncimin e tij pranë policisë së rrethit.
Pas ndalimit të të riut, uniformat blu bëjnë me dije se janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 30 bombolat e oksigjenit që ishin shpërndarë në banesa të qytetarëve të ndryshëm.
Mbi 26-vjeçarin me detyrë oksigjenist tashmë rëndon akuza e “Shpërdorimit të detyrës”.
Nga situata e krijuar ne vend për shkak të pandemisë , nevoja për oksigjen po rritet çdo ditë e më shumë, ndaj dhe abuzimet nga punonjësit e sistemit shëndetësor janë rritur.
Pak kohë më parë emisioni investigativ “BOOM” trajtoi shqetësimet e qytetarëve të cilët e kanë të pamundur për ta siguruar oksigjenin.
Mungesa e bombolave apo aparateve të oksigjenit u konfirmua dhe nga farmacitë dhe depot farmaceutike.