Për 7 orë rresht, merret në pyetje Emiljano Shullazi

Për 7 orë rresht, merret në pyetje Emiljano Shullazi

Për 7 orë më rradhë Emiljano Shullazi i është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve mbi vrasjen e Vajdin Lamajt në vitin 2005. Po ashtu për ekzekutimin e Klodjan Saliut para akuzës është paraqitur dhe Indrit Rusi

Emiljano Shullazi, një nga personat që momentalisht ndodhet në burg për gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja dhe i dyshuari kryesor nga SPAK, si organizator i vrasjes së Vajdin Lamaj në 25 shkurt 2005, është marë në pyetje nga oficerët e prokurorisë. 

Mësohet se seanca  është zhvilluar ditën e martë të kësaj jave dhe ka zgjatur për 7 orë me rradhë në ambjentet e prokurorisë së posaçme SPAK.

Shullazi ka qëndruar përballë dy oficerëve të policisë gjyqësore, të cilëve u është përgjigjur çdo pyetje lidhur me njohjen e tij me Lulzim Berishën, Indrit Taullaun, Plaurent Dervishaj dhe Luftar Reçin, personin që tashmë konsiderohet bashkëpuntor i SPAK.

Njëherësh Shullazi i është përgjigjur dhjetëra pyetjeve lidhur me dyshimet e prokurorisë për pjesëmarjen e tij në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në Tiranë.

Asnjë nga krimet për të cilat e akuzuan prokuroria, Shullazi nuk ka pranuar, duke treguar se nuk ka lidhje me ngjarjet, pasi nuk ka qenë në Tiranë periudhën kur kanë ndodhur krimet. Shullazi përmendet në dëshminë e Luftar Reçit, si personi që ka shkuar tek Reçi me një makinë tip “Mitsubishi” me fenelinë policie dhe i ka marë eksplozivin C4, që ai kishte përgatitur me porosi të Lulzim Berishës.

Ditën e premte në ambjentet e prokurorisë së posaçme SPAK, është marrë në pyetje një tjetër i arrestuar për vrasjen e Klodian Saliut, ngjarje e ndodhur në muajin shkurt 2005 në Durrës.

Për tre orë me rradhë Indrit Rusi, ka dhënë shpjegime lidhur me pyetjet e dy oficerëve të policisë për pjesëmarjen e tij në rolin e vëzhguesit të Klodian Saliut, para se ky i fundit të vritej. Rusi që Durrës njihet ndryshe edhe me nofkën “Çeçi” s’ka pranuar asnjë nga akuzat e prokurorisë, duke pohuar se nuk kishte njohje fare me Luftar Reçin, Klodian Saliun, Indrit Taullaun dhe Plaurent Dervishaj.

Ai ka pohuar se nuk e mbante mënd vendodhjen e tij në muajin shkurt 2005, për shkak se ka kaluar shumë vite. Rusi indetifikohet nga bashkëpuntori i prokurorisë Luftar Reçi, si person pranë Lulzim Berishës dhe se ditën e vrasjes së Klodian Saliut, ai ka qënë në rolin e vëzhguesit të viktimës.

Aktualisht për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamaj, prokuroria e posaçme SPAK, ka arrestuar Indrit Taullaun, Indrit Rusin, Luftar Reçin, Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin nga Vlora. Ndërsa Lulzim Berisha vijon të jetë në kërkim.

EMISIONET