Elton Marini, menaxheri i njohur i futbollit, në një intervistë për “Sport Magazine” në Ora News ka folur mbi lëvizjet e merkatos në Kategorinë Superiore.

Sa i përke afrimeve të fundit te Tirana, menaxheri i futbollit deklaroi se, merkatoja e janarit nuk të ofron mundësi shumë të mira sa i përket afrimit të futbollistëve cilësorë.

“Po flasim për një ekip të madh. Po flasim për kampionët e vendit. Është e vërtetë që kanë bërë disa afrime por mos harrojmë që merkatoja e janarit nuk është se ofron mundësi shumë të mira për lojtarët që janë në aktivitet, kanë minutazhin e tyre dhe mund të shfaqin vlerat e tyre.

Në këtë kontekst, lojtarët që afrohen në këtë dritare merkatoje duan kohë të shfaqin vlerat  e tyre dhe të përshtaten me pjesën tjetër të skuadrës”, tha Marini.

Sa i përket dy afrimeve më të fundit të Partizanit, Junior dhe Murataj, të prezantuar sot, Marini u shpreh se: “Për Murataj nuk kemi çfarë flasim se është në syrin e të gjithë drejtuesve të kategorisë superiore. Është lojtar i konsoliduar tashmë në kategorinë superiore. Është një ish-lojtar, prodhim i akademisë së Partizanit, kështu që mendoj se do të përshtatet më shpejt me skemat e Dajës se e njeh kampionatin, e njeh ritmin e kampionatit. Mund të ketë karakteristika që mund të përputhen me pjesën tjetër të skuadrës.

Ndërsa për sulmuesin brazilian më rezulton se, prej 4 muajsh nuk luan edhe pse mund të jetë në formë të mirë për shkak të profesionalizmit“.