Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, ka përmbyllur natën e dytë të Kuvendit Kombëtar të Republikanëve me thirrjen për më shumë harmoni në vend para zgjedhjeve të nëntorit.

Fjalimi i saj u mbajt të martën nga kopshti i Shtëpisë së Bardhë, me bashkëshortin dhe presidentin, Donald Trump, që e ndiqte në rreshtin e parë të të ftuarve të posaçëm.

Ndër mesazhet e para ishte ngushëllimi i amerikanëve për rreth 180 mijë jetët e humbura nga pandemia e koronavirusit që prej marsit, një armik i padukshëm që sipas saj ndryshoi vendin.

“Administrata e bashkëshorti tim nuk do reshtë së gjeturi një trajtim efektiv ose një vaksinë për të gjithë. E di që shumë njerëz janë në ankth dhe disa ndihen të pashpresë, por ta dini që nuk jeni vetëm.”

Në konventën republikane folën edhe familjarë të tjerë të presidentit, vajza dhe djali i tij, dhe figura të larta shtetërore si zv.presidenti Majk Pens apo Sekretari i Shtetit, Majk Pompeo.

Folësit vunë theksin te atributet personale të presidentit Trump dhe te çiltërsia e tij politike, si pengesa e vetme që mund t’i bëjë ballë radikalizmit dhe rrënimit ekonomik që do sillte rivali demokrat, Xho Bajden, nëse do i jepej shansi të vijë në Shtëpinë e Bardhë.

Teksa mbaheshin fjalimet, në shtetet e Uiskonsit dhe në qytetin e Portlendit, grupimet në mbrojtje të afroamerikanëve vijuan tubimet kundër dhunës policore ndaj komunitetit me ngjyrë.

Zonja e Parë amerikane apeloi për ndaljen e përçarjeve sociale dhe dënoi racizmin.

“Është një realitet i trishtë dhe ka pjesë të historisë tonë për të cilat nuk jemi krenarë. Por ju inkurajoj të fokusohemi te e ardhmja dhe të mësojmë nga e kaluara. Qytetarët duhet të ndalin dhunën dhe vandalizmat në emër të drejtësisë, dhe kurrë të mos bëjnë hamendësime duke u nisur nga ngjyra e lëkurës së një personi.”

Demokratët të martën e kritikuan vendimin e republikanëve për të përdorur ambientet e Shtëpisë së Bardhë për të lëshuar mesazhe politike, përkundër precedentëve të shkuar.

Ndryshe nga demokratët e javës së kaluar, ndërkohë, folësit konservatorë e ndërthurën fenë dhe Zotin thuajse në çdo fjalim të tyre.

Edhe presidenti Trump pritet të enjten të mbajë fjalimin e tij ku do të arsyetojë pse duhet rizgjedhur për një mandat të dytë në zyrën ovale më 3 nëntor.