Kryetari i partisë Republikane, Fatmir Mediu, në takimin me mbështetësit e Vlorës e ka vënë theksin te rritja e kriminalitetit dhe e trafikut të lëndëve narkotike. Madje ai thekson se mbështetja që i ka dhënë qeveria e ka kthyer qytetin bregdetar në vendin e larjes së hesapeve.

Kemi një problem me krimin e organizuar që e ndjeni ju, si qytetarë të Vlorës me vrasje e përditshme apo me problemet që kanë pothuajse të gjitha familjet. Edi Rama e shikon qeverisjen si një mundësi për të krijuar financë, të ardhura, marrëdhënie, për të kontrolluar lirinë dhe të drejtat tuaja”, shprehet Fatmir Mediu.

Familjet e mëdha patriotike kanë bërë histori në qytetin e pavarësisë, por për Mediun mazhoranca aktuale nuk i ka dhënë rëndësi vlerave.

Në këtë vend,  që i ka që të gjitha, ku Zoti i ka dhënë çdo gjë, për fatin e keq kemi një qeveri, e cila është vendosur kundër interesave të shqiptarëve. Qeverisja e Edi Ramës sot nuk është as më shumë as më pak, se një grup, një sekt, një regjim i korruptuar që çdo gjë e shikon në interesa të veta”, është shprehur Mediu.

Sipas Mediut, votimi i programit të opozitës në 25 prill do t’i japë më shumë mundësi të rinjve të kthehen në atdhe, si dhe do të mundësojë rritjen ekonomike.

“Kemi mundësi të ndërtojmë një qeverisje nga shqiptarët për shqiptarët. Kemi mundësinë që brenda mandatit të parë të qeverisjes ta bëjmë vëndin tonë pjesë të Bashkimit Evropian”, është shprehur Mediu.