Këshilli Politik do të ulë sërish në bisedime palët për listat hapura dhe implementimin në Kodin Zgjedhor të ndryshimeve Kushtetuese.

I ftuar në Ora News, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu shprehet se ky proces po zvarritet shumë nga kryeministri Rama i cili sipas tij kërkon të përmbushë interesat e veta.

Mediu thotë se është vendosur një datë zgjedhjesh pa u vendosur më parë rregullat e garës.

Mediu: Edhe përpara këtij sezoni kemi patur probleme. Jetojmë në një absurditet total. Një shtet që përfaqësohet vetëm nga një person me qëllimet e tij. Ajo që ndodhi në sesionin e fundit të Parlamentit, ndryshimet kushtetuese ishin absurde duke treguar që Rama nuk do ndalet në manipulimin e prcesit zgjedhor. Asnjë vend i BE-së dhe NATO-s nuk kanë ndryshuar Kushtetutën në atë kohë aq të shkurtër dhe me një proces jo transparent. Shqiptarët kanë dëshirën dhe opozita duhet bërë zëdhënësja e tyre për të ndryshuar këtë realitet.

Problemi më i madh që kemi sot është se ne kemi një datë zgjedhjesh dhe nuk dimë akoma rregullat e lojës që partitë politike do të shkojnë në këto zgjedhje. Duket që Rama jo vetëm përballë marrëveshjes me opozitën dhe opinionin qytetar por dhe përballë interesave si integrimi europian nuk ndalet, i shpërfill të gjitha. Opozita duhet të garantojë program të implementueshme dhe funksionale. Qëllimi i Ramës është të krijojë diversion brenda opozitës dhe e ka tentuar edhe më parë. Nuk mendoj që opozita është e përçarë. Opozita duhet të përcaktojë një platformë të qartë qeverisjeje. Ne duhet ta bëjmë sa më funksionale pjesëmarrjen e subjekteve tona për të maksimizuar votën.

Partia Republikane është nismëtare e ndryshimit të formulës së koalicioneve brenda opozitës së bashkuar, ku parashikohet që brenda koalicionit të madh të krijohet një grupim politik.

Por kjo ka dhe anët e saj negative ku një subjekt mund të ndryshojë krahe politike, ndaj Mediu shprehet se duhen vendosur rregulla që ta ndalojnë këtë.

Mediu: Ajo që është më e rëndësishme për opozitën në Këshillin politik është mënyra e organizimit të koalicioneve zgjedhore, ruajtja e mundësive që të kemi koalicione të përbashkëta. Nëse do ngelet vetëm 1 element i bashkëpunimit politik siç pretendon Rama me listë të kombinuar, Edi Rama shkatërron pluralizmin shqiptar. Çdo gjë që vlen për të shtuar votat opozitare. Ajo që është e drejtë në një proces zgjedhor është që një subjekt politik të marrë aq mandate në parlament sa votojnë qytetarët. Ky raport duhet të vendoset në çdo koalicion opozitar. Ajo që është e rëndësishme është qëndrueshmëria e një koalicioni, pra qëllime politike të përbashkëta, në Shqipëri kemi pasur koalicione që më pas kanë kaluar në një krah.

Duhen vendosur disa rregulla në kodin elektoral për koalicionet. Nëse ti del si deputet i një subjekti të djathtë dhe kalon në krahun e majtë ky është një shtrembërim i vullnetit të qytetarëve shqiptarë që të kanë votuar. Justifikimet që deputeti është i lirë për të zgjedhur janë banale në këtë rast pasi ti je i lirë të sillesh në bazë të rregullave që ke kërkuar si deputetë.

Intervista në studio me gazetaren Matilda Mcini, përgatiti Endi Mullaj